Telegrafi

Delawie, deputetëve: Lëreni anash politikën, zgjidhni kandidatët më të mirë për gjyqtarë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta lënë anash politikën dhe t’i zgjedhin kandidatët që janë më të mirë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Delawie në një postim në Twitter shkruan votimi për plotësimin e vendeve të lira të punës në Gjykatën Kushtetuese është çelësi për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Votimi i sotëm i Kuvendit për të plotësuar pesë vende të lira të punës në Gjykatën Kushtetuese është çelësi për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Unë u bëj thirrje deputetëve të lënë mënjanë politikën dhe të zgjedhin kandidatët që janë personat më të mirë për gjyqtarë dhe që reflektojnë diversitetin në Kosovë, duke përfshirë gratë”, shkruan Delawie.

Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë në orët e pasdites ku do të përzgjedh pesë nga dhjetë kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Telegrafi ka siguruar emrat e dhjetë kandidatëve të cilët do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Këta janë kandidatët:  Nexhmi Rexhepi, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Laban, Hajzer Salihu, Safet Hoxha, Bajram Latifi, Shkëmb Manaj, Vigan Qorroli, Shqipe Ibraj- Mala dhe Nebojsha Boriqiq. /Telegrafi/