Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta lënë anash politikën dhe t’i zgjedhin kandidatët që janë më të mirë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Delawie në një postim në Twitter shkruan votimi për plotësimin e vendeve të lira të punës në Gjykatën Kushtetuese është çelësi për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Votimi i sotëm i Kuvendit për të plotësuar pesë vende të lira të punës në Gjykatën Kushtetuese është çelësi për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Unë u bëj thirrje deputetëve të lënë mënjanë politikën dhe të zgjedhin kandidatët që janë personat më të mirë për gjyqtarë dhe që reflektojnë diversitetin në Kosovë, duke përfshirë gratë”, shkruan Delawie.
Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë në orët e pasdites ku do të përzgjedh pesë nga dhjetë kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Telegrafi ka siguruar emrat e dhjetë kandidatëve të cilët do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Këta janë kandidatët: Nexhmi Rexhepi, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Laban, Hajzer Salihu, Safet Hoxha, Bajram Latifi, Shkëmb Manaj, Vigan Qorroli, Shqipe Ibraj- Mala dhe Nebojsha Boriqiq. /Telegrafi/
Today’s Assembly vote to fill five vacancies on the Constitutional Court is key to strengthening #Kosovo's rule of law. I urge MPs to put politics aside and choose candidates that are the best people for the job- good jurists who reflect Kosovo's diversity, including women.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 18, 2018