Ai pritet të jetë filmi më i ndjekur i vitit 2016 në të gjithë botën, por më së shumti në Shqipëri. Bëhet fjalë për “War Dogs”, i cili bazohet në historinë reale të treguar nga Guy Lawson në revistën “Rolling Stone”, por që prek disi edhe vendin tonë.
Dikur ishte parashikuar të titullohej “Arms and the Dudes” (Armët dhe shokët), e megjithatë askujt nuk i shkon në mendje në lexim të parë se për çfarë bëhet fjalë, nëse nuk do të përmenden emra si Efraim Diveroli, apo Gërdeci, transmeton tch.
Një fshat periferik i kryeqytetit shqiptar, që u trondit vetëm pak vite më parë, ekzaktësisht më 15 mars 2008, nga një shpërthim i fuqishëm në atë që konsiderohej si bazë e demontimit të armëve, ku mbetën të vdekur 26 qytetarë dhe 300 të tjerë u plagosën.
Jonah Hill dhe Miles Teller janë pikërisht aktorët që do të luajnë rolet e dy shokëve që merren me shitjen e armëve, në atë që konsiderohet si një film aksion-komedi, trajleri i të cilit është publikuar vetëm pak orë më parë.
Historia i përket dy miqve, David Packouz dhe Efraim Diveroli, të dy rreth të 20-ave nga Miami, të cilët në vitin 2007 sfiduan rivalët e tyre për një kontratë 300 milionë dollarëshe të ofruar nga Pentagoni për të armatosur ushtrinë afgane. Ata ofruan vetëm 53 mln dollarë dhe siguruan kontratën, e që do të “argëtoheshin” me një sërë gjeneralësh ushtrie.
“Oferta juaj ishte shumë e ulët për ne, që ta miratonim”, theksuan disa prej tyre. Por, pas tejkalimit të një sërë sfidave, dyshja e adoleshentëve arritën të dërgonin ngarkesën e armëve në destinacionin e duhur, pavarësisht se e kishin thuajse të pamundur ta arrinin atë.
Një komandant mosbesues i pyeste ndërkohë: “A e çuat ngarkesën përmes Trekëndëshit të Vdekjes?”. Ndërsa Hill e kishte një përgjigje: “Ne i dërguam përmes të gjitha trekëndëshave të mundshëm, përfshi edhe atë të mamit tënd”.
Bradley Cooper dhe Ana de Armas janë dy prej yjeve të tjerë në “War Dogs”, me regjisor Todd Phillips (i njohur për filmin ‘The Hangover’), sipas një dorëshkrimi të bashkëshkruar me Stephen Chin dhe Jason Smilovic. Mark Gordon, Phillips dhe Cooper janë gjithashtu producentë, ndërsa David Siegel dhe Bryan Zuriff janë prodhuesit ekzekutivë.
Filmi pritet të shfaqet nëpër ekranet e kinemave duke nisur prej 19 gushtit të këtij viti, nga kompania kinematografike “Warner Bros.”.