Policia e Tiranës ka shoqëruar shoferen e cila ditën e djeshme sulmoi një të moshuar që po kalonte te vijat e bardha në zonën e Kamzës.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, policia ka arritur të identifikojë shoferen me iniciale B.R 46-vjeçe.
Kjo e fundit është ndëshkuar me masë administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve dhe mjeti i saj tip ‘BENZ” është bllokuar.
Njoftimi i policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetase që ka ndaluar automjetin në vija të bardha dhe nuk respekton rregullat e qarkullimit rrugor (mosdhënie përparësie këmbësorëve), ju sqarojmë se:
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e drejtueses së automjetit që shfaqet në video.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë lokalizuar automjetin dhe kanë shoqëruar drejtuesen e tij, shtetasen B. R., 46 vjeçe.
Në vijim të veprimeve u bë bllokimi i automjetit tip “Benz”, ndërsa për drejtuesen e automjetit u vendos masa administrative, në bazë të Kodit Rrugor, për mosdhënie përparësie këmbësorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm. /Telegrafi/