Telegrafi

Del në shitje ‘super tank-u’ nga filmi i famshëm ‘Fast & Furious’

Një nga veturat më të paharrueshme nga franshiza e filmave Fast & Furious është gati të kalojë përmes ankandit.

Një Howe & Howe Ripsaw 2009 – një veturë luftarake me motor V8 e përdorur në pjesën e 8-të të Fast & Furious, ose ndryshe me emrin The Fate of the Furious – po shitet nga një muze pasi ata ishin në gjendje ta marrin veturën nga Universal Studios.

Duke qenë prototipi i parë i ndërtuar nga Howe & Howe, Rispaw për numër të identifikimit ka shifrat “000000001”, gjithashtu ishte pjesë edhe e serisë së filmave GI Joe, shkruan Drive, transmeton Telegrafi.

Përderisa Ripsaw nga definicioni teknik nuk është një tank, shpesh referohet si një i tillë, kjo për shkak se në vend të rrotave ka rripa dhëmbzorë metalikë.

Ripsaw fuqinë e merr nga një motor V8 6.6 litërsh turbo-dizel “Duramax” i General Motors – duke prodhuar kështu 360 kuaj fuqi dhe 840 njuton metër fuqi rrotulluese. Është një fuqi e mjaftueshme për të pasi që ajo mund të lëvizë me rreth 100kMh në pothuajse çdo sipërfaqe të tokës.

Ripsaw do të dalë në ankand pa ndonjë çmim paraprak, por çmimi origjinal i kësaj veture thuhet se ka qenë 750 mijë dollarë.

Ndërsa shikuesit e shfaqjes televizive britanike “The Grand Tour” mund të njohin Ripsaw, me Richard Hammond i cili nëpër rrugët e Dubai-t drejton një version luksoz të ndërtuar me porosi. /Telegrafi/