Telegrafi

Del në ankand Mercedesi i Hitlerit, 10 për qind e çmimit ndahen për një fushatë antinaziste

Një ”Mercedes” luksoz i përdorur nga Adolf Hitler në Gjermani do të shitet në ankand më 17 janar në Arizona, në SHBA, njoftoi shtëpia e ankandeve “Worldwide Auctioneers”.

Automjet i shpejtë që arrin 160 kilometra në orë, një Mercedes-Benz 770K Grosser shumë i njohur me emrin “Super Mercedes”, ishte një instrument i fuqishëm i propagandës së Rajhut të Tretë.

Ai është përdorur nga Hitleri për një paradë triumfuese në Berlin pas kapitullimit të Francës në vitin 1940 dhe për një vizitë të diktatorit italian, Benito Mussolini.

Bëhet fjalë për një prej katër modeleve të vetme të këtij lloji, që nuk janë prodhuar më, në 1939.

Ndërkohë që forcat aleate progresonin në Evropë në fund të konfliktit, vetura ishte sekuestruar në Francë nga forcat amerikane që, duke injoruar prejardhjen, e kishin vendosur në parkun e automjeteve të policisë ushtarake.

Pas luftës, Mercedesi ishte riblerë nga një individ në Belgjikë dhe më pas ishte gjendur në duart e një shoqërie të ish-luftëtarëve në Virxhinia para se të kthehej në Evropë duke nisur nga viti 2002.

Shtëpia e ankandeve “Worldwide Auctionneers” nuk dha detaje për identitetin e pronarit aktual të automjetit.

”Mercedes”-i do të shitet në ankand më 17 janar në Scottsdale, në Arizona dhe 10 për qind e çmimit të shitjes do të shkojë për fushatat e edukimit kundër nazizmit./atsh/