Site icon Telegrafi

Dekriminalizimi, të dënuarit ankohen në Strazburg për votën

Përmes Komitetit Shqiptar të Helsinkit, 6 të dënuar i janë drejtuar Gjykatës së Strazburgut me pretendimin se në ligjin e Dekriminalizimit atyre u është mohuar e drejta e votës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj shpjegon se pretendimit për dhunimin e së drejtës së votës i janë bashkangjitur edhe dy kazuse të bujshme që mbështesin versionin se Shqipëria duhet të argumentonte rrezikun që sjell vota e disa të dënuarve për shoqërinë.

Nga njëra anë bëhet fjalë për qëndrimin e të burgosurit John Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar, i cili fitoi në insistimin e tij se i ishte prekur e drejta e votës në zgjedhjet e vitit 2001 e që fitoi në Strazburg përderisa nuk argumentohej rrezikshmëria e tij.

Por nga ana tjetër është gjithashtu edhe një vendim i Strazburgut për rastin e të dënuarit Franco Scoppola kundër Italisë, që shtroi gjyqësisht ligjin e famshëm “Severino”.

“Shteti italian e fitoi betejën në Strazburg sepse argumentoi dhe justifikoi kufizimin e së drejtës së votës me anë të ligjit “Severino”. Ligji kishte vendosur disa kritere që në mendimin e Gjykatës respektonin racionalitetin”, thotë Skëndaj.

Por kundërshtimi i të dënuarve shqiptarë, që në total janë 2.169 shtetas që u prekën nga ligji i Dekriminalizimit, ka lidhje me kontrollin e njëjtë si ndaj atyre që zgjidhen, si ndaj atyre që votojnë.

“Biem ndesh me opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, që ka thënë se kufizimi për t’u zgjedhur në institucione të larta shtetërore nuk mund të jetë i barabartë me të drejtën e votës, sepse interesi publik për personat që votohen është më i lartë”, nënvizon Skëndaj.

Të dënuarit paditës:

Rigels Kushe, i dënuar për trafik droge;
Blendi Spaho, prodhim lendesh narkotike;
Imer Ruko, prodhim lëndësh narkotike;
Hyqmet Myslihaka, vrasje me dashje;
Mehmet Rrapaj, trafik droge;
Fatmir Bakalli, grup i strukuruar kriminal.

Exit mobile version