Pavarësisht se jetojmë në kohë pandemie dhe njerëzit në mbarë botën po preferojnë të kalojnë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, për të shmangur kontaktet me tjerët nga frika se mund të infektohen me COVID-19, kjo nuk i ndaloi banorët e fshatit Pjetërshan të Gjakovës që ta dekorojnë vendin e tyre me rastin e festave të fundvitit.
E dekorimi i bredhit dhe hapësirave tjera të Pjetërshanit ka fituar vëmendjen edhe të mediave botërore, duke e krahasuar dekorimin madje me atë Washingtonin, transmeton Telegrafi.
Euronews në rubrikën pa koment, ka publikuar pamjet e dekorimit të disa prej metropoleve botërore, ku ka zënë vend edhe fshati Pjetërshan, i cili gjatë natës ndriçon qiellin me dritat e shumta që janë vendosur.
E kjo nuk është hera e parë që ky fshat në komunën e Gjakovës fiton vëmendjen e mediave prestigjioze botërore, pasi edhe viteve të kaluara është raportuar për dekorimin unik gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/