Site icon Telegrafi

Dekorimet e Hashim Thaçit, përzierje në fushatën zgjedhore në Maqedoni? (Video)

Përzierje në fushatë parazgjedhore, e jo dekorim i sinqertë. Kështu mes tjerash i komentojnë analistët dekorimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dekorime në të cilat u përfshinë edhe pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë nga partitë BDI dhe PDSH, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për gazetarin Isen Saliu, është e habitshme sepse Presidenti i Kosovës zgjodhi pikërisht fillimin e fushatës parazgjedhore në Maqedoni që të ndajë këto dekorata. Ai thotë se qasja që ka pushteti në Kosovë ndaj problemeve të shumta me të cilat përballet ky shtet, por edhe vdekja misterioze e Astrit Deharit që është me prejardhje nga Maqedonia, e bëjnë që Thaçi të mos gëzojnë imazh të mirë tek shqiptarët e Maqedonisë.

“Mendoj se mund t’ju bëjë dëm personave që i ka dekoruar, posaçërisht politikanëve që janë të kyçur në fushatë parazgjedhore sepse imazhi negativ që kanë shqiptarët e Maqedonisë, përshtypjet negative që i kanë për Hashim Thaçin dhe pushtetarët të tjerë në Kosovë, shkaku i vdekjes misterioze të Astritit, mund të reflektohet edhe tek politikanët, te kandidatët për deputet këtu në Maqedoni dhe të jetë edhe një moment shtesë që do t’i nxisë shqiptarët që të mos i votojnë këta kandidatë që sot dekorohen nga Presidenti i Kosovës”, deklaroi gazetari Isen Saliu, për Tv Shenja.

Nga ana tjetër, analisti Bashkim Bakiu thekson se ka figura apo personalitete të cilat kanë kontribuar në çështjen e Kosovës, dhe kuptohet se ajo është meritë, por problematike sipas tij, është edhe vendi se ku dekorohen ato personalitete.

“Këto çështje zakonisht bëhen në vendin amë, në këtë rast duhet të realizohet në Kosovë. Përgatitja e çështjeve në Maqedoni dhe shpërblimet e tyre nuk mund të komentohen ndryshe përveçse përzierje në fushatë zgjedhore nga ana e Republikës së Kosovës dhe Presidentit të sajë. Në këtë rast mendoj se ata duhet të jenë më të kujdesshëm për shkak të raporteve qoftë shtetërore, qoftë institucionale, qoftë raporteve që kanë në përgjithësi popullata shqiptare në Maqedoni”, tha analisti politik Bashkim Bakiu.

Për Bakiun, kjo është edhe pjesë e strategjive të partive politike, andaj sipas tij, kjo më shumë mund të komentohet si pjesë e fushatës parazgjedhore, se sa një dekoratë e sinqertë./Telegrafi/

Exit mobile version