Ruby Walter nga Straffordshire e Anglisë, i është dhënë dekorata për trimëri, pasi telefonoi urgjencën, për të kërkuar ndihmë për nënën që ndodhej pa ndjenja në dysheme.
Vogëlushja gjashtëvjeçare, shfrytëzoi gishtin e nënës për të hapur telefonin, ndërsa pa bërë panik dhe me shumë qetësi ia shpjegoi situatën operatores, transmeton Telegrafi.
“Nëna është shtrirë në dysheme, por po e ndjej që po merr frymë dhe barku po i lëvizë ngadalë poshtë e lartë”, ka thënë Walter, para se të tregonte adresën e banimit.
Me të kuptuar për veprimin e vogëlushes, njësiti policor që merret me mirënjohje dhe dekorata, vendosi t’ia ndajë këtë titull edhe asaj.
“Është një heroinë e kohërave moderne, që veproi me mend dhe nuk vrapoi duke qarë nëpër banesë”, ka thënë një zyrtare që ia ndau dekoratën.
Lëvdata ia janë dhënë edhe nënës, që e mësoi të kryente këtë shërbim, gjë që do duhej të ishte shembull për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit.
“E kam mësuar që të telefonoi policinë që kur ishte e vogël, por nuk kam menduar se do ta praktikonte ndonjëherë”, ka thënë nëna e saj. /Telegrafi/