Site icon Telegrafi

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se përkrahu “xhihadistët” dhe postoi shkrime nxitëse për vepra terroriste

I akuzuari për shtyrjen në kryerjen e veprave terroriste, Fitim Lladrovci, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Habibe Salihi, i akuzuari deklaroi se ndihet i pafajshëm për veprën e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo nuk e pranoj veprën penale për te cilën akuzohem, për shkak se forma qysh jam paraqit në aktakuzë dhe si po akuzohem unë konsideroj se jam i pafajshëm”, tha i akuzuari Lladrovci.

Pas deklarimit të të akuzuarit për mos pranim të fajësisë, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, e ka njoftuar atë se në afat brenda 15 ditësh, mund të bëjë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në aktakuzë.

Ndryshe, në këtë seancë para leximit të aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit Lladrovci, avokati Arsim Bilalli, kishte kërkuar përjashtimin e publikut dhe të gazetareve.

“Propozoj sipas nenit 294, paragrafi 1 pika 1.4 i Kodit të Procedurës Penale, ku kemi te bëjmë respektivisht me përjashtimin e publikut. Këtë e them me faktin se kemi te bëjmë me jetën personale të të mbrojturit tim nga fakti se siç dihet nga mediat kanë bërë lajme të them ashtu bombastike vetëm se për te provuar dhe për të fituar në aspektin e tyre material, konkretisht është plasuar lajmi deklarata e të njëjtit, e cila është dhënë para dy viteve ne një agjencion të gazetarisë Londineze dhe pikërisht gazetat tona dhe portalet, deklaratën e dhënë te mëhershme e kanë kombinuar dhe e kanë lidhur me rastin e fundit, andaj mbi bazën e kësaj arsye kërkojmë nga ju trupi gjykues te bëni përjashtimin e publikut”, tha avokati Bilalli.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga i akuzuari Lladrovci, i cili tha se është në interes të drejtësisë që në këtë shqyrtim të mos ketë publik, me arsyetimin që do të përmenden edhe shumë emra te personave të tjerë të cilët e kishin e kërcënuar.

Por, një kërkesë e tillë është refuzuar nga gjykatësi Kurtaj, pasi e njëjta ishte kundërshtuar edhe nga ana e prokurores Salihi, me arsyetimin se në këtë shqyrtim do të bëhet vetëm leximi i aktakuzës dhe se nuk e kishte parë të arsyeshme, arsyetimin e të akuzuarit se do të përmendën emra të tjerë.

Po ashtu, gjatë kësaj seance, avokati Bilalli, ka propozuar qe ndaj të mbrojturit të tij, të bëhet një observim psikiatrik për shkak se gjendja e tij mendore nuk është e mirë.

“Desha ta ripotencoj faktin siç e kem potencuar edhe ne seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit se ky rast në raport me të mbrojturin tim është një rast shumë më specifik në atë siç është publikuar në media dhe portale. Këtë e them me faktin se duke pasur parasysh se Fitim Lladrovci është kthyer nga vatrat e luftës dhe pas kthimit të tij në Kosovë, rasti i tij është neglizhuar shumë nga Agjencioni Kosovar i Inteligjencës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ngase kanë qenë të obliguar në risocializim më adekuat dhe asnjëherë nuk iu është bërë ndonjë ekzaminim psikiatrik apo psikologjik. Andaj kërkojmë nga trupi gjykues komfor nenit 508 të Kodit të Procedurës Penale, që fillimisht Fitim Lladrovcit t’i bëhet një observim psikiatrik për shkak se gjendja e tij mendore nuk është e mirë”, tha avokati Bilalli, shkruan betimiperdrejtesi.

Një kërkesë të tillë e ka përkrahur edhe vet i akuzuari Lladrovci, i cili tha se pas kthimit në Kosovë, në viti 2014 edhe pse kishte kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore, nuk i ishte ofruar ndihma adekuate.

Lidhur me këtë, gjykatësi Kurtaj, ka marr aktvendim me të cilën aprovoi propozimin që i akuzuari Lladrovci të dërgohet në ekzaminim shëndetësor psikiatrik pranë organeve kompetente te cilat bëjnë ekzaminimin psikiatrik.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Lladrovcit për veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 të KPRK-së.

Ai akuzohet se ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyrë që prej vitit 2018, e deri më 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se ai komentuar “Me ndihmën e Allahut, bijtë e Unmetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe New York. Andaj, pritni se me të vërtetë edhe ne presim nga ju dhe Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo mysliman është projekt për Xhihadin në të ardhmen, Allahu ka premtuar se Xhihadi do të qëndroj deri në orën e fundit (kijametit) dhe besojnë në Allahu”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Lladrovci ka postuar video-incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar, duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste “ISIS”, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtareve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “Sulmues vetëvrasës”, ku dhe i ka komentuar me qëllim që të shtysë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryen.

 

Exit mobile version