Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2021.
Në këta formularë zyrtarët kanë deklaruar shtëpi e vetura, troje e pasuri të gatshme monetare.
Por disa politikanë kanë deklaruar pasuri dhe aksione në mënyrë jo të zakonshme.
Bie fjala kryetari i PDK-së, ka deklaruar investime në kriptovaluta që afërsisht kapin vlerën 300 mijë euro.
Por edhe deklarimi i pasurisë nga ministrit i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka zgjuar interesimin e opinionit.
Murati në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se posedon aksione në disa brende të njohura ndërkombëtare.
Ministri Murati ka deklaruar se ka aksione me vlerë prej 26 mijë e 700 euro në kompaninë e njohur “Tesla Inc”.
Ai po ashtu ka deklaruar se vlera e aksioneve që posedon në “Netflix” është 8 mijë e 700 euro.
Po ashtu Murati ka deklaruar aksione edhe në “Allianz SE”, me vlerë 4 mijë e 300 euro.
Edhe në kompaninë tjetër të njohur gjermane “Volkswagen AG”, ai ka aksione me vlerë 6 mijë e 300 euro.
Këto aksione ai i ka blerë në vitin 2014-n.
Krahasimi i pasurisë së ministrit Hekuran Murati në dy vite
2020
Pasuri: 61 mijë euro
Detyrime: 35 mijë euro
Veturë: 3,100 euro
Para të gatshme: 11 mijë euro
Letra me vlerë: 23,400 euro
Të hyrat vjetore: 15,600 euro
2021
Pasuri: 61 mijë euro
Detyrime: Nuk ka
Veturë: 3,100 euro
Para të gatshme: 9,300 mijë euro
Letra me vlerë: 46 mijë euro
Të hyrat vjetore: 27 mijë euro
Murati ka deklaruar se ka shitur aksione në vlerë 33 mijë e 303 euro dhe se me to ka shlyer huanë për blerjen e banesës në vlerë 35 mijë, të cilën e kishte deklaruar më 2020./Telegrafi/