Telegrafi

Deklarimi i parë i Ali Berishës në cilësinë e nënkryetarit të AAK-së

Sekretari i deritanishëm i AAK-së dhe kryetar i sapo rizgjedhur i kësaj partie në degën e Pejës, Ali Berisha, ka konfirmuar emërimin e tij të sotëm si nënkryetar i AAK-së në nivel vendi.

Berisha që është edhe zëvendësministër i Shëndetësisë , me këtë rast ka kërkuar bashkëpunim edhe më të ngushtë të strukturave të reja të partisë, në besimin e projektit Haradinaj për Kosovën.

Ai ka deklaruar se emërimet e sotme me shtrirje të gjerë dhe të kujdesshme janë rezultat i rritjes së këtij subjekti që nga zgjedhjet nacionale të qershorit, kur AAK fitoi kryeministrin e deri tek ato lokalet kur AAK nga tre sa kishte mori në udhëheqje 7 komuna të rëndësishme të Kosovës, në pritje të një vendimi edhe për komunën e 8-të, që është Istogu.

Berisha ka kujtuar me këtë rast strukturat e brendshme të partisë së tij dhe konkurrentët politik se AAK është dhe mbetet parti e përballjes, apo siç ka thënë parti që të shikon në sy.

Postimi i plotë i tij në Facebook:

Qytetarë të vendit, miq, bashkëpunëtorë, simpatizantë dhe aktivist të Aleancës.
Me propozim të kryetarit të partisë, kryeministrit, z.Ramush Haradinaj, duke kaluar nëpër proceset e nevojshme të organeve të partisë, nga sot jam zgjedhur nënkryetar i AAK-së në nivel qendror.
Do ta kem për nderë të ushtrojë këtë funksion krahas atij të kryetarit të degës së Pejës bashkë me pozitën qeveritare.
Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi gjatë ushtrimit të pozicionit si sekretar organizativ.
Energjia e punës dhe operimit të z.Haradinaj kërkon mund, punë, përkushtim dhe sakrificë, cilësi këto që vetëm bashkë mund ti arrijmë.
Unë besoj në ekipin tonë, unë besoj në projektin Haradinaj.
Koncepti ynë është përballja.
Përballja me temat, përballja me të ardhmen, përballja me problemet.
Emërimet dhe pozicionimet e sotme janë edhe një dëshmi se Aleanca po rritet. U rritëm edhe në zgjedhjet nacionale, u rritëm edhe në zgjedhjet lokale. AAK që nga themelimi është dhe mbetet një realitet i përballjeve. AAK të shikon në sy.
Kolegëve u uroj punë të mbarë dhe suksese. /Telegrafi/