Telegrafi

Deklarimet e Thaçit dhe Vuçiqit pas takimit të fundit në Bruksel, “spektakël” medial

Menjëherë pas takimit të tretë të fazës finale të dialogut, i cili u zhvillua të enjten në Bruksel, dy kryenegociatorët, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, akuzuan njëri-tjetrin për arrogancë e papërgjegjshmëri.

Përderisa Thaçi tha se pala serbe kishte përdorur diskurs të ashpër në këtë takim, Vuçiq kërcënoi me mosvazhdim të dialogut nëse Kosova nuk e heq taksën doganore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, shkruan “Zëri”.

Megjithëkëtë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i negociatave mes dy shteteve nuk mund të ndërpritet në asnjë mënyrë. Përkundrazi, siç shprehen ata, deklarimet e tilla të dy presidentëve ngjajnë më shumë në një “spektakël”, nga i cili qytetarët nuk duhet të bien në lajthitje.

Ndërkaq përfaqësuesit e partive opozitare vlerësojnë se në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që në takimin e katërt të fazës finale presidenti Thaçi të shkojë e të dialogojë me Serbinë pa u mandatar nga Kuvendi.