Mediat në Kosovë kanë raportuar gjatë ditës së enjte se mbi 3000 euro, për dy muaj, po dyshohet t’u janë vjedhur nëntë klientëve të TEB Bankës nga një punonjëse e kësaj banke në Ferizaj.
Po sipas mediave, analistja e klientëve është arrestuar para tri javësh nga Policia për plaçkitjet në xhirollogari bankare, që i ka kryer çdo të enjte, gjatë periudhës shtator-nëntor të vitit të kaluar.
Ndërkohë Banka TEB Sh.A. përmes një sqarimi informon gjithë klientët e vet, mediat dhe opinionin e Kosovës në lidhje me raportimet e djeshme në media.
Sipas njoftimit, Banka TEB Sh.A. njofton klientët e vet dhe opinionin se në momentin që ka identifikuar rastin nga organet e saj të brendshme të kontrollit, ka ndërmarr masat e duhura: duke mbrojtur klientët dhe kompensuar ata, largimin e punëtores në fjalë nga puna dhe dërgimin e rastit tek policia për investigim të plotë.
“Njoftojmë opinionin se kontrolli i brendshëm i Bankës TEB Sh.A. është në nivelin më të lartë, siç është dëshmuar edhe në këtë rast, duke zbuluar e dërguar vet rastin tek organet e policisë dhe që ka ofruar bashkëpunim të plotë me organet e tyre, tutje i mbetet organeve të drejtësisë të japin verdiktin final”, thuhet në sqarimin e Bankës TEB.
“Banka TEB Sh.A. është pjesë e grupit ndërkombëtar bankar BNP Paribas dhe sigurojmë të gjithë klientët tonë se afarizmi i jonë është i bazuar në praktikat më të larta profesionale nga grupi të cilit i takojmë”, përfundohet në sqarim. /Telegrafi/