Anëtarët e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian nga shoqëria civile kanë reaguar lidhur me mbajtjen e mbledhjes së Këshillit kombëtar për integrim evropian, duke bërë të ditur se nga pesë anëtarët e shoqërisë civile në Këshill, vetëm 3 prej tyre kanë marrë ftesë për mbledhje.
Lexoni të plotë deklaratën:
“Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, i themeluar nga Presidenti i Kosovës, përveç përfaqësuesve institucional dhe politik, në radhët e veta ka edhe anëtarë nga shoqëria civile. Kjo për shkak të synimit që Këshilli të jetë një forum i diskutimit gjithëpërfshirës dhe konsensusit nacional për çështjet më të rëndësishme në agjendën evropiane të Kosovës.
18 muaj nga takimi i fundit, i mbajtur më 5 maj 2015, sot më 28 tetor 2016 është ftuar takimi i radhës i Këshillit. Gjatë punës së deritashme të Këshillit, përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht kanë ngritur problemin e mënyrës së punës së Këshillit, që karakterizohet me takime ad-hoc, pa përgatitje të duhur, pa përcjellje dhe diskutim të obligimeve të pajtuara në takimet paraprake dhe pa ndonjë vizion të qartë për rolin e këtij Këshilli. Shumë pak prej rekomandimeve të shoqërisë civile nga takimet paraprake janë marrë parasysh.
Përkundrazi, takimi i sotëm që është i pari i ftuar nga Presidenti i ri i Kosovës, z. Hashim Thaqi, është edhe më problematik. Ftesat janë dërguar vetëm 2 ditë para takimit, më datë 26 tetor 2016, ndërsa agjenda e takimit nuk është shoqëruar me asnjë material përcjellës. Për më tepër, nga 5 anëtarët e shoqërisë civile në Këshill, vetëm 3 prej tyre kanë marrë ftesë. Injorimi i dy të tjerëve është bërë pa asnjë arsyetim, përkundër faktit që vazhdojnë ta kenë statusin e anëtarit të barabartë të Këshillit, sikurse të gjithë anëtarët tjerë institucional, politik dhe nga shoqëria civile.
Duke marrë parasysh arsyet e cekura më lartë, ne si anëtar të shoqërisë civile në Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian nuk e shohim të arsyeshme pjesëmarrjen në takim në këtë formë. Megjithatë, për takimet e radhës nëse ato përgatiten si duhet dhe marrin parasysh shqetësimet tona jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe kontribuojmë në këtë agjendë të rëndësishme për vendin.
Me anë të kësaj, i bëhet thirrje Këshillit, e në veçanti Presidentit të Kosovës si kryesues i këtij Këshilli, që trupat e tillë të rëndësishëm t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal dhe t’i shfrytëzojnë për qëllimin për të cilin janë krijuar, e jo për agjenda politike ditore.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian nga shoqëria civile: Valdete Idrizi – Platforma CiviKos; Fatmir Curri – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF); Betim Musliu – Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD)”. /Telegrafi/