Deklaratat letrare janë një pikënisje e shkëlqyer frymëzimi për t’i deklaruar ndjenjat personit tuaj të zemrës sepse, për ndonjë arsye të çuditshme, ato priren të na godasin dhe të mbeten të gdhendura në kujtesën tonë. Më poshtë janë 10 deklaratat më romantike të dashurisë në letërsi:
“Nuk kam pasur qoftë edhe një moment dyshimi. Unë të dua. Besoj tek ty, plotësisht. Ti je njeriu më i dashur për mua, arsyeja ime për të jetuar”.
“Shpagimi”, Ian McEwan.
“Nuk mund të të lejoj të më djegësh, por njëherazi nuk mund të të rezistoj. Asnjë burrë nuk mund t’u mbijetojë flakëve pa u konsumuar”.
“Posedimi”, A.S. Byatt
“Luftova më kot. Nuk ka shpëtim. E kam të pamundur t’i ndrydh ndjenjat e mia. Më lejoni t’ju them, se sa me zjarr të admiroj dhe të dua”.
“Krenari dhe paragjykim”, Jane Austen.
“Të dua, ashtu siç duhen disa gjëra të errëta, në fshehtësi, mes hijeve dhe shpirtit”.
Soneti XVIII, Pablo Neruda.
“Kur bie në dashuri, ndodh një çmenduri e çastit. Shpërthen diçka si tërmet dhe, më pas, fundoset. Dhe kur fundoset, duhet të marrësh një vendim. Duhet të kuptoni nëse rrënjët tuaja duhet të pleksen kaq shumë, sa për të mos u ndarë kurrë më. Sepse kjo është dashuri. Dashuria nuk është të mos marrësh frymë, nuk është eksitim, nuk është dëshira për të qenë bashkë çdo sekondë të ditës. Nuk është të rrish shtrirë në shtrat gjatë natës, duke e imagjinuar atë duke puthur çdo pjesë të trupit tuaj. Jo, mos u turpëro… po të them veçse të vërtetën. Sepse kjo është thjesht të biesh në dashuri. Dashuria është ajo çfarë mbetet, kur magjepsja e të rënit në dashuri është zbehur. Nuk tingëllon shumë emocionuese, apo jo? Megjithatë është”.
“Mandolina e kapitenit Koreli”, Louis de Bernieres.
“Nëse më kujton ti, atëherë nuk ka rëndësi nëse më harron e gjithë bota”.
“Kafka në plazh”, Haruki Murakami.
“Çdo atom i mishit tuaj është kaq i dashur për mua, sikur të ishte i imi. Në dhimbje dhe sëmundje, ai do të ishte po aq i dashur për mua. Mendja juaj është thesari im dhe, edhe nëse do të humbiste arsyen, do të vazhdonte të ishte thesari im. Nëse do të marroseshe, do të të shtrëngoja fort mes krahëve dhe jo me këmishë force. Shtrëngimi juaj, megjithëse i tërbuar, do të ishte i ëmbël si balsam. Nëse do të më sulmoje si një e pushtuar, siç bëri këtë mëngjes ajo gruaja, do të të prisja me një përqafim, sa këmbëngulës, aq edhe pasionant. Nuk do të dridhesha me neveri siç bëra me të. Në momentet e tua të qetësisë, nuk do të kishe kujdestar tjetër, infermiere tjetër përveç meje; do të kujdesesha për ty me dashuri të palodhur, edhe sikur të mos më jepje asnjë buzëqeshje në këmbim dhe nuk do të lodhesha të shikoja në sytë e tu, edhe sikur në ta të ishte zhdukur përgjithmonë çdo shkëndijë falënderimi”.
“Jane Eyre”, Charlotte Brontë.
“Nëse shkruaj diçka, kam frikë se mund të ndodhë vërtet dhe nëse dua shumë, kam frikë se do ta humbas atë person; pavarësisht gjithçkaje, nuk mund të ndaloj së shkruari dhe të dashuruari”.
“Paula”, Isabel Allende.
“Mjafton që unë të jem i sigurt se ti dhe unë ekzistojmë, pikërisht tani”.
“Njëqind vjet vetmi”, Gabriel Garcia Marquez.
“S’mund të vazhdoj të dëgjoj në heshtje. Më duhet të flas me ju me mjetet që kam në dispozicion. Ju ma shponi shpirtin. Jam mes agonisë dhe shpresës. Mos më thuaj se është vonë, se kjo ndjenjë e çmuar është zhdukur përgjithmonë. Unë të ofroj përsëri zemrën time, ajo të përket ty, madje edhe më shumë se kur gati e theve para tetë vitesh e gjysmë. Për hir të Zotit, mos thuaj se burri harron më shumë se gruaja, se dashuria e tij vdes më shpejt. Unë nuk kam dashur askënd tjetër, përposh jush. Mund të kem qenë i padrejtë, ndoshta i dobët dhe i lënduar, por asnjëherë mendjelehtë. Në Bath më ke sjellë veç ti. Mendoj dhe bëj plane vetëm për ju. Nuk e keni vënë re? A është e mundur që të mos i kuptoni dëshirat e mia? Nuk do kisha pritur as këto dhjetë ditë, nëse do t’i kisha njohur ndjenjat e tua. Më duhet të largohem pa e ditur fatin tim, por do të kthehem këtu ose do të të ndjek sa më shpejt të jetë e mundur. Mjafton një fjalë, një shikim, për të më lejuar të hyj sonte në shtëpinë e babait tënd ose kurrë”.
“Bindja”, Jane Austen.
/Burimi: Libreriamo/ përshtati në shqip: Gazeta “Si”/