Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë kryeqendra e debatit në të gjitha mediat sportive botërore. Pas problemeve në nivel klubi (te Manchester Unitedi), e njëjta po e përndjek edhe te përfaqësuesja e Portugalisë.
37-vjeçari u la në bankën rezervë në ndeshjen ndaj Zvicrës pas reagimeve të tij për zëvendësimin në sfidën paraprake, ndërsa u raportua se kërcënoi me largim nga ‘Katar 2022’ nëse nuk do të luante.
Megjithatë, superylli portugez nuk e kishte këtë qëndrim para fillimit të Kampionatit Botëror. Ai kishte thënë se do të ishte i lumtur nëse Portugalia do ta fitonte trofeun dhe ai nuk do të shënonte asnjë gol.
“Nëse më thoni se Portugalia e fiton Kupën e Botës pa golat e mi, do ta nënshkruaj menjëherë”, kishte deklaruar në nëntor duke e bërë të qartë se nuk ishte aspak egoist.
Mirëpo, këto komente janë të kundërta me sjelljet e deritanishme të CR7, i cili me raste e ka vënë veten para skuadrës dhe sipas gazetës Record, kërcënoi me largim pasi u la në bankën rezervë. Megjithëse, këto raportime u mohuan edhe nga Federata e Portugalisë edhe nga vet futbollisti.
Gjatë ditës së enjte, ai postoi një fotografi nga festa e të martës (duke e përfshirë edhe veten si zëvendësues) me përshkrimin: “Një grup tepër i afërt për t’u thyer nga forcat e jashtme. Një komb shumë i guximshëm për ta lënë veten të trembet nga ndonjë kundërshtar. Një ekip në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të luftojë deri në fund për ëndrrën! Besoni te ne! Forca, Portugali”.
Portugalia luan kundër befasisë Marok në fazën çerekfinale ditën e shtunë. Në rast se e kalon ekipin afrikan, atëherë në gjysmëfinale do ta presë fituesin ndërmjet Francës dhe Anglisë.
Nëse gjithçka në njërën anë shkon në favor të Cristianos dhe në anën tjetër në favor të Lionel Messit me Argjentinën e tij, atëherë mund të shohim një “vallëzim të fundit” me dy më të mëdhenjtë e futbollit modern në finalen e 18 dhjetorit. /Telegrafi/