Site icon Telegrafi

Deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Rama: Kërcënime të rrezikshme e të papranueshme

“Nuk do të lejojmë askënd që të na tërheq pas në të shkuarën…” Është ky reagimi i kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të bëra nga ministri serb i Mbrojtjes rreth sigurisë së shteteve të rajonit.

Në një postim në platformën “X”, kreu i qeverisë shprehet se kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Siç raportojnë mediat në Kosovë, ministri Millosh Vuçeviç ka deklaruar në një televizion kombëtar se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mendojnë se duke qenë të anëtarësuara në NATO, “i kanë të zgjidhura të gjitha problemet e tyre.”

Në reagimin e tij, Rama kujton se Shqipëria, RMV dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.

Siç shprehet, kryeministri, në dekadën e fundit, në rajon është arritur në dekadën e fundit, më shumë nga sa është “imagjinuar në dekada.”

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, ka shkruar Rama në platformën X.

Vuçeviç citohet të jetë shprehur se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë zemëruar aq shumë Serbinë kur njohën shtetin e Kosovës, sa ky veprim ka për t’i goditur në kokë ashti siç po goditet Ukraina.

“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A flini të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, apo Aleancës së NATO-s, menduan se i kishin zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë më nuk mund të ju ndodhë.”

Kujtojmë se Millosh Vuçeviç është zgjedhur kryetar i Partisë Përparimtare të Serbisë, pas largimit nga ky post i kryetarit e themeluesit të saj, Aleksandër Vuçiç, president aktual i Serbisë. Prej marrjes së mandatit e deri më sot, Ministri Vuçeviç e ka ngritur disa herë në nivelin më të lartë përgatitor ndërhyrjen ushtarake rreth kufirit me Kosovën.

 

Exit mobile version