Telegrafi

Deklaratat e kardiologëve të akuzuar në “Rastit Stenta”, Prokuroria i quan të pandershme (Video)

Prokuroria e Shtetit ka reaguar ndaj akuzave të bëra një ditë më parë nga mjekët e QKUK-së, derisa letrën publike të kardiologëve e kanë cilësuar si një tentim për denigrimin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Deklaratat e tilla, të cilat janë drejtuar gjithashtu edhe te pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv, Prokuroria i konsideron të pandershme, sepse në sisteme demokratike, drejtësia ndahet vetëm në gjykata dhe kush e kupton ndryshe, është në keqkuptim të madh me ndarjen e pushteteve”, thuhet në reagimin e Prokurorisë, raporton KTV.

Për këto zhvillime, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk ka dashur të komentojë.

Kardiologët e QKUK-së, në një letër publike ku kërkonin drejtësi, akuzuan ndër të tjera Prokurorinë e Shtetit edhe për falsifikim provash, për rastin që njihet si “Stenta”, për çka është ngritur aktakuzë ndaj 64 të pandehurve, në mesin e tyre edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani.