Senatori republikan amerikan, John McCain kërkon në intervistë me Zhana Nemcovën, në emisionin e saj “Nemtsova.Interview” (te DW rusisht) një qëndrim më të ashpër në marrëdhëniet me Rusinë.
Presidenti i zgjedhur mbajti konferencën e parë të shtypit pas zgjedhjeve. Dhe pranoi për herë të parë se Rusia është përgjegjëse për sulmin me hakerë ndaj zgjedhjeve. Çfarë mendoni se do të ndërmarrë ai kundër kësaj?
Unë jam i kënaqur që ai e pranoi. Që në radhë të parë përgjegjës për këtë sulm të rëndë kundër zgjedhjeve janë rusët. Vlerësimi i tij është i saktë se edhe vende të tjera ndjekin aktivitete të ngjashme. Por unë jam i gëzuar që ai i bëri përgjegjës rusët për sulmin kundër zgjedhjeve. Sepse për këtë nuk ka dyshime.
Por njëkohësisht ai thotë se fakti që Putini e pëlqen atë është një përparësi dhe jo barrë. Dhe se nën udhëheqjen e Trumpit, Putini do t’i trajtojë shumë më mirë SHBA. Dhe se nuk do të zgjedhë edhe njëherë tjetër opsionin e ndërhyrjes në kompjutera. Çfarë mendoni për këtë?
“Tani, unë besoj se Vladimir Putin është vrasës dhe kriminel. Ai është një produkt i KGB-së dhe do të shfrytëzojë çdo përparësi, që mund të sigurojë. Unë kam përjetuar tri presidentë: Bush, Clinton dhe Obama. Të gjithë mendonin se mund të kishin një fillim të ri në marrëdhëniet e tyre me Putinin. Ata e lëvduan Putinin. George W. Bush ka thënë: “Unë pashë në sytë e tij dhe pashë shpirtin e tij.” Pastaj patëm natyrisht fushatën e Obamas dhe fillimin e ri nën Obaman.
Ne duhet ta kuptojmë se kush është me të vërtetë Vladimir Putini – e këtu duhet ta hedhim vështrimin pas në kohën e Presidentit Regan: “Paqe përmes forcës”. E vetmja gjë që kupton Putini është forca. Që çmimi për agresionet është më i lartë se dobia e mundshme. Ne pamë se si po e bën copa ai Ukrainën, si e anekson Krimenë – si e përdor aviacionin luftarak për të goditur me armë me precizion në spitale, pamë armatimin në Kaliningrad. Lista vazhdon kështu edhe më tej. Dhe këtë ai e bën duke pasur pas vetes një vend që është shumë i dobët ekonomikisht. Prandaj ne duhet të kthehemi te “Paqe përmes forcës”. Po, ne flasim me dëshirë me Vladimir Putinin. Por vetëm nga një pozicion force”.
Cila është përshtypja juaj e përgjithshme nga konferenca e shtypit e Trumpit?
Për këtë mund të thosha shumë, por po i bie sa më shkurt që të jetë e mundur. Presidenti i zgjedhur Trump e ka ndryshuar mënyrën se si bëhet politikë në SHBA. Me ndihmën e twitterit dhe të medieve sociale. Kjo ishte konferenca e tij e parë e shtypit, më duket, pas pesë muajsh. Kjo nuk ka ndodhur kurrë – Trumpi mobilizon në këtë mënyrë bazën e tij. Në të njëjtën kohë, kuotat e mbështetjes së tij në popull janë më të ulëta se ç’i ka patur ndonjëherë ndonjë President i kohës së re në marrjen e postit. Pra ne po përjetojmë një kohë shumë të pazakonshme në politikën amerikane dhe një Amerikë shumë të polarizuar. Mua do të më pëlqente ta shihja që Trumpi të përpiqej të arrinte të gjithë amerikanët – pavarësisht nëse ata e patën mbështetur apo e patën luftuar.