Telegrafi

Deklaratat e Canës dhe Krasniqit në takimin e tyre

(Foto: Facebook/KOK)

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka pritur sot (e hënë) legjendën e futbollit mbarëshqiptar, Lorik Cana.

Kreu i KOK-ut, i cili shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidenti Gazmend Maxhuni, anëtari i Bordit Ekzekutiv, Musa Selimi dhe këshilltari i tij, Besim Aliti, shprehu kënaqësinë që një sportist që ka lënë gjurmë në futbollin evropian vizitoi KOK-un.

“Këto ditë kam pasur vizita të shumta, por sot na ka nderuar legjenda e gjallë e sportit mbarëshqiptar, Lorik Cana. Vizita e tij, na jep motiv dhe kurajë për të punuar në avancimin e sportit tonë, ndërsa këshillat e Lorikut dhe mbështetja e tij do të jenë vlerë e shtuar për ne”, ka thënë ndër të tjera presidenti Krasniqi.

I pari i KOK-ut, u pyet edhe për numrin e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe për synimet.

(Foto: Facebook/KOK)

“Deri tani kemi nëntë sportistë, gjashtë prej të cilëve më normë, por presim që edhe sportistë tjerë të fitojnë normën. Për të arritur deri në Tokio 2020 dhe për të fituar normën duhet një punë katër-vjeçare. Rezultatet e xhudos ndër vite na bëjnë të jemi optimist se suksesi sërish nuk do të mungojë”, shtoi ai.

Lexo po ashtu I gatshëm ta ndihmojë sportin në Kosovë - Lorik Cana viziton KOK-un

Ish-kapiteni shumëvjeçar i Shqipërisë duke falënderuar presidentin e KOK-ut për pritjen, e quajti kreun e Krasniqin si person të pasionuar për zhvillimin e sportit në Kosovë.

“Lidhja dhe historiku i përfshirjes time në përfaqësimin e sportit mbarëkombëtar, në veçanti në Kosovë, daton prej vitesh me ish-presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, duke lobuar për të drejtat e sportit dhe sportistëve të rinj në Kosovë, veçanërisht futbollistëve. Tani mikut tim, Ismetit, dua t’ia konfirmoj mbështetjen time të plotë në zhvillimin e sportit dhe strukturave të KOK-ut, në cilësi konsulence dhe forma tjera. Jam vërtet i gëzuar që është në krye të këtij institucioni”, ka theksuar ndër të tjera Cana.

(Foto: Facebook/KOK)

Ish-futbollisti i shumë skuadrave evropiane, foli edhe për kampionen olimpike, për të cilën theksoi se tani më nuk është vetëm ambasadore e sportit tonë, por legjendë e sportit mbarëshqiptar, për çka, uroi që krahas sportit të xhudos, edhe sportet tjera të arrijnë rezultate të mira.

Tutje, Cana iu është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me Kombëtaren e Kosovës në futboll, të cilën e vlerësoi lartë, pastaj Superligën e Kosovës dhe klubin e Vëllaznimit të Gjakovës.

Presidenti Krasniqi i dhuroi librin foto-reportazh “Debutimi i artë”, kushtuar kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, një orë dore me simbole të Lojërave Olimpike Tokio 2020, ndërsa Lorik Cana, i nënshkroi presidentit fanellën e Kombëtares së Kosovës në futboll.