Site icon Telegrafi

Deklarata të ndryshme për Marrëveshjen e Prespës, pas vendimit negativ të BE-së

“Zbatimi i plotë i detyrimeve tona në Marrëveshjen e Prespës lidhur me procesin paraqasës në Bashkimin Evropian (BE). Ekziston lidhshmëri mes zbatimit të Marrëveshjes dhe hapjes e mbylljes së kapitujve për integrim”, porositën kryeministri Zoran Zaev dhe shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov pasi vendi nuk mori datë për fillim të negociatave me BE-në.

Në intervistën për “Juronjuz” në gjuhën greke, Zaev ka thënë se pjesë të caktuara të Marrëveshjes së Prespës janë të lidhura me hapjen e kapitujve në procesin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Edhe ministri Nikolla Dimitrov tha se Marrëveshja e Prespës nuk mund të kompletohet tërësisht nëse vendi është jashtë procesit inkuadrues drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së Greqisë Nikola Dendias, në një deklaratë me shkrim të publikuar nga zyra e tij politike, thotë se Greqia ka për qëllim përmes rrugës evropiane t’i zgjidhë problemet dhe t’i zbutë pasojat negative nga marrëveshja dhe shton se ata do të vazhdojnë ta përcjellin ngushtë “plotësimin e plotë të detyrimeve të fqinjëve”.

Kurse zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, në një pyetje të mediave greke në lidhje me marrëveshjen e Prespës, tha se BE-ja është e bindur se Shkupi dhe Athina do të vazhdojnë ta respektojnë.

Ndërsa sipas liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski e ardhmja e Marrëveshjes së Prespës do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version