Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me deklaratën e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”, ku përmendet Kosova si pjesë e Serbisë.
Tahiri në një reagim në Facebook ka shkruar se deklarata të tilla bien në ndesh me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor.
“Deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb” ku përmendet që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, vërtetojnë mendësinë millosheviqiane, e cila rezultoi me disa lufta në Ballkan, gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Deklarata të tilla bie ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka shkruar Tahiri.
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija”.
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/