Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar lidhur me ndalesën që iu bë futbollistëve të Crvena Zvezdas për të hyrë në Kosovë, ku ishte caktuar të zhvillohej një ndeshje ilegale e Kupës së Serbisë kundër klubit ilegal, Trepça.
Me rastin e vendimit të autoriteteve tona që të mos e lejojnë zhvillimin e asaj ndeshjeje brenda territorit të Kosovës, ai ka thënë:
“Pse nuk i keni lejuar, cili ishte problemi juaj, të tregoni se jeni shumë të fortë? Se e kontrolloni Jarinjën dhe Bërnjakun. E dimë këtë edhe pa këtë gjë”, citon Telegraf.rs.
Kujtojmë që të mërkurën, Crvena Zvezda ishte nisur drejt Kosovës, ku do të duhej ta zhvillonte ndeshjen e kupës ndaj klubit ilegal, Trepça, mirëpo Policia e Kosovës e ka ndalur hyrjen e tyre në vendin tonë.
I pari në kolonë ishte drejtori gjeneral i klubit serb, Zvezdan Terzic, i cili u përpoq të kalojë, mirëpo pas kontrollimit të dokumenteve e kanë njoftuar se nuk ka leje për të hyrë në Kosovë, njësoj sikurse edhe pjesa tjetër e skuadrës. /Telegrafi/