Site icon Telegrafi

Deklarata e Sveçlës për kontratat njëburimore, Bajrami i reagon duke publikuar shifrat

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas deklaratave të tij se “nuk ka kontratë brenda MPB-së që nuk kalon nëpër filtra ligjorë”.

Sveçla u pyet për akuzat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, rreth një tenderi prej 15 milionë eurosh, që sipas tij, ishte dhënë përmes negocimit.

Gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”, ministri Sveçla tha se nuk ka marrë pjesë në negocime dhe nuk është i njohur me detajet e tenderit në fjalë, por premtoi se do të ofrojë përgjigje me shkrim.

Megjithatë, deputetja Bajrami ka akuzuar qeverinë për korrupsion, duke thënë se tenderat sekretë janë një formë e fshehjes së shkeljeve.

“As Rusia, as Serbia, as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin me tenderat sekretë të kësaj Qeverie,” tha Bajrami.

Ajo theksoi se vetëm në një tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kalimi nga procedura e hapur në atë sekrete i kushtoi buxhetit të shtetit 4 milionë e 693 mijë e 266 euro.

Duke shpjeguar më tej historinë e tenderit, Bajrami tha se në vitin 2017, blerja e licencave të Microsoft-it ishte bërë përmes një procedure të hapur, ku tenderin e fitoi kompania vendore “Cacttus” me një vlerë prej 9 milionë e 529 mijë e 174 euro.

“Në vitin 2020, për të njëjtën shërbim, tenderin e fitoi kompania shqiptare “Infosoft Systems” me një vlerë prej 10 milionë e 295 mijë e 243 euro, gjithashtu përmes procedurës së hapur”.

Në vitin 2023, sipas Bajramit, Ministria e Punëve të Brendshme shmangu procedurën e hapur dhe negocoi drejtpërdrejt me kompaninë “Infosoft Systems”, duke nënshkruar një kontratë me vlerë prej 14 milionë e 988 mijë e 509 euro, pra 4 milionë e 693 mijë euro më shumë se tenderi i hapur.

“Kjo është arsyeja pse LDK është kundër kontratave sekrete,” tha Bajrami, duke shtuar se ministri Sveçla e ka nënshkruar këtë kontratë, pavarësisht pretendimeve se nuk i di detajet.

“Ai përmendi Rusinë, Serbinë dhe bombat atomike si arsye për procedurën sekrete, e cila i kushtoi buxhetit gati 5 milionë euro më shumë,” përfundoi Bajrami./Telegrafi

Exit mobile version