Telegrafi

Deklarata e Lavrov për “Ballkanin e Hapur”, Arifi: Konfirmim i supozimeve të Kosovës që në këtë nismë do të ketë elemente pro-ruse

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është nismë e Beogradit.

Siç raportuan mediat serbe Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Lexo po ashtu Rusia mbështet "Ballkanin e Hapur", Lavrov e quan nismë të Beogradit zyrtar

Lidhur me këtë deklaratë të shefit të diplomacisë ruse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin tha se kjo mund të jetë edhe provokim nga Rusia.

“Deklarata e Rusisë për “Ballkanin e Hapur” kinse iniciativë e Serbisë, mund të jetë edhe provokative por kjo nuk e përjashton kërkesën e Kosovës për të qenë të barabartë në çdo iniciativë”, u shpreh Arifi.

Ai shtoi se perëndimi duhet ti merr gjërat më me seriozitet sa i përket të gjitha iniciativave përfshirë edhe “Ballkanin e Hapur”.

“Unë mendoj që perëndimi duhet ti merr gjërat më seriozisht sa i përket të gjitha iniciativave jo vetëm të Ballkanit të Hapur, por nëse kthehemi te kjo iniciativë po vërtetohen ato supozimet tona se mund të jetë apo të ketë elemente pro-ruse në këtë nismë, për faktin e vetëm që Serbia ende nuk është vend pro-perëndimor. Është vend që nuk i respekton rregullat e botës perëndimore dhe kjo detyrimisht na dërgon te kjo deklaratë e Rusisë edhe nëse nuk është e vërtetë”, ka thënë Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare më tej ka shtuar se kjo deklaratë e ministrit të jashtëm rus, na vërteton në njëfarë mënyre që Serbia është një vend që nuk po përmirësohet dhe nuk po dëshiron të orientohet nga bota perëndimore.

Lexo po ashtu A duhet Kosova ta kushtëzojë pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur” me pranimin e saj politik nga Serbia – flasin analistët

“Rrjedhimisht si projekt “Ballkani i Hapur” do të jetë i dështuar pavarësisht se çfarë interesi kanë disa vende perëndimore mbi këtë projekt”, tha Arifi.

Ndryshe, Ballkani i Hapur është iniciativë që është duke u mbështetur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina vazhdojnë ta refuzojnë, me Malin e Zi që ka dhënë sinjale se mund t’i bashkohet kësaj iniciative.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë në forumin në Bratisllavë, theksoi se Kosova nuk duhet të hapet ndaj ndërhyrjeve verilindore dhe lindore.

“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore… Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz…”, tha Kurti. /Telegrafi/