Site icon Telegrafi

Deklarata e këshilltarit të kryeministrit Kurti për ekzistencën e arkivës së UÇK-së, nxit reagime

Deklarata e këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Aziz Bici që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ka arkiva ka nxitur reagimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“E konfirmoj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur arkiv, ne i kemi pas librat gjatë luftës, këtë e konfirmoj”, kjo deklaratë e këshilltarit të kryeministrit së Kosovës, Aziz Bici,  ka nxitur reagimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Sipas tyre UÇK nuk ka arkiva zyrtare, por vetëm dorëshkrime që kanë ruajtur ushtarët individualisht.

Ndërsa, Bici deklaratën e thotë me siguri të plotë.

Aziz Bici

Sipas këshilltarit të kryeministrit, Aziz Bici, UÇK-ja ka arkiv dhe sipas tij është për tu habitur si mohohet kjo.

Por, janë ish-bashkëluftëtarët e tij të cilët po thonë se kjo nuk është e vërtetë.

Sipas Hisen Berishës, që është një nga komandantët që udhëhoqën Betejën e Koshares, arkiva e vetme e UÇK-së janë dorëshkrimet individuale të ushtarëve.

Hisen Berisha

“Sa i përket strukturave drejtuese të luftës, e shumta që mund të kenë mund të jetë ndonjë fletore personale ku kanë shënuar se çfarë detyra mund të kryejnë gjatë luftës e që munden të jenë kush çfarë detyre me dhanë, cili komandant me dërgua njësinë e ndonjë zonë lufte”, ka deklaruar Berisha.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve në Skenderaj, Emin Lati i cili edhe ka qenë udhëheqës toge në Prekaz.

Emin Lati

“Unë vet kam qenë komandant toge në Prekaz d.m.th. unë vet nuk kam arkiv, nuk kam shënime se kur na rroke ofensiva i kemi gjuajtur letrat d.m.th. nuk e di, nuk e besoj që ka arkiva”, ka deklaruar Lati.

Kjo deklaratë nga Aziz Bici ka ardhur pasi që është riaktualizuar tema e veteranëve ku Kryeministri Kurti ka dhënë disa propozime për ta në mënyrë që të pastrohen listat e veteranëve të luftës së UCK-së./RTV Dukagjini/

Exit mobile version