Site icon Telegrafi

Degradimi dhe kontaminimi i gjuhës nga mediokrit po e gjymton shpirtin e shoqërisë

“Gjuha nuk është, siç dëshironte Aristoteli, një hapësirë neutrale dhe paqësore në të cilën mund të shprehen pikëpamjet e kundërta; ajo as nuk është siç mendon Marksi, një instrument politik të cilin mund ta përdorin njësoj në shërbim të tyre si sunduesit ashtu edhe të sunduarit… Gjuha është thjesht pushtet, vetë forma e pushtetit, tërësisht e konturuar nga pushteti, madje edhe në formën e saj më të thjeshtë retorike” – Bernard-Anri Levi

Nga: Halil Matoshi (botuar për herë të parë në revistën kulturore “Sheshi” më 1997)

Ku konsiston ‘marksizmi gjuhësor’ i klasës politike-kulturore në shoqërinë shqiptare dhe si fshehet në ligjëratën e tyre dëshira për ta marrë në dorë pushtetin? Në këtë ‘dëshirë të projektuar për sundim’ më së denduri përdoret ideali kombëtar dhe më së denduri këtij teli i bien mediokrit, prandaj në këtë shkrim më gjatë do të merremi me këtë kategori shoqërore, jo gjithnjë të definuar. Mediokrit në politikë, në media, në arsim dhe posaçërisht mediokrit në letërsi e arte të tjera, po t’i bëhet një qasje psikanalitike, si lloj i rrezikuar nga këndi moral e social, (sipas Mishel Fukosë diskursi nuk është vetëm ajo që manifeston ose fsheh dëshirën…) së pari hyjnë në një aleancë natyrore, lidhen me turmën (tiranosauri, figurë e huazuar nga kolegu Astrit Salihu) dhe prapa ‘diskursit’ fshehin dëshirën për ta marrë pushtetin në dorë, pastaj mbrojnë diktatorin, duke iu bërë themel dhe shtyllë qendrore diktaturës, e cila së pari i ndërsen kundër vlerave të shoqërisë civile, i cyt dhe i ushqen një kohë, pastaj i përdor për interesat e sundimtarit dhe i hedh në rrugë për t’u përleshur me forcat e reja qytetare, derisa skena mbushet plot gjak e kufoma. Perdja bie pas luftës qytetare …

Mediokriteti lind diktaturat …

Çfarë ndodhi që edhe shkrimtarët, përmes një ‘marksizmi gjuhësor’, pos gazetarëve e propagatorëve politikë – ideologjikë, u impenjuan në një diskurs agresiv, brenda shoqërisë shqiptare, duke e stimuluar kontaminimin e gjuhës? Për të dhënë përgjigje në këtë çështje nuk duhen analiza aq komplekse: kontaminuesit e gjuhës në media, në politikë dhe në letrat shqipe sot në Kosovë janë ‘racë e ultë’ nga aspekti i dijes, joinventivë në krijimtari, inferiorë dhe për t’u mbrojtur nga rritja aritmetikore e forcës së shoqërisë (nga forcat e reja, qofshin ato edhe të padefinuara dhe të pakonturuara), ata duhet bërë një aleancë natyrore duke e ndërthurur atë me një formë gjeometrike, por konform me këtë duhet projektuar një armik, i cili, me vetë faktin se është i tillë, armik, i merr apriori të gjitha mëkatet mbi supet e veta për sterilitetin mendor dhe fukarallëkun e shpirtit të injorantëve dhe të mediokrëve që i fabrikon “ofiçina shkrimtaria”. Pastaj ky armik duhet të zmadhohet, gjithnjë në kuptimin gjeometrik; të fryhet si tullumbace, të lëshohet në qiell, të bëhet i dukshëm deri në satanizimin e tij për t’ia zgjatur jetën pushtetutës së mediokritetit, si “strumbullar i jetës shqiptare”!?

Kështu, në vend që esnafi i shkrimtarëve t’i shërbejë vetëm të vërtetës dhe krijimit të baraspeshës midis politikës dhe qytetarit, ai shkatërron këtë baraspeshë, duke ia imponuar opinionit një lider, një parti apo vetëm një ide, sepse në çdo pluralitet ata paraprakisht janë të humbur! Vetëm në kompleksin e njëshit, kompleks që e denonconte që në vitet ’60 shkrimtari Anton Pashku, ata vazhdojnë të mbijetojnë.

Duhet shpikur armiq, duhet satanizuar armikun e shpifur dhe pastaj duhet shumëzuar atë si fabrikat, për ta përdorur për kënaqjen e interesave të klanit. Vetëm armiku i mban në jetë mediokrit … Armiku: kjo është motoja e mbijetesës së medikriteteve. Mediokriteti, duke fabrikuar armiq të rinj, arrin të rritet në dinosaurus, pastaj njerëzit me kurajo pyesin: si ia arrijnë të jenë shefa të pavdekshëm? Elita kulturore dhe politike nuk zbret atje poshtë në hanin e tyre për t’u marr me ta, shpesh edhe duke e nënçmuar forcën rrënuese të mediokritetit dhe nuk e kupton dinamikën politike të formimit të klasës së re, luftën për pushtet. Kjo ‘klasë e re’ është ende në nivelin e masave, e sapodalë nga ‘faza e popullizmit të lëvizjes’, pra përbëhet nga mitingxhinj; kjo klasë e re posa ka hetuar se pushteti sjell privilegje dhe për ruajtjen e tyre ata së pari degradojnë gjuhën, i përmbysin vlerat qytetare, pastaj viktimizojnë masat duke ua zbritur mirëqenien dhe duke shkatërruar breza të tërë, dhe sa më e ulët që të jetë cilësia e jetës në progresion gjeometrik sundimi i tyre rritet…

Kontaminuesit e ‘baraspeshës ekologjike’ të fjalës, që rëndom janë mediokër, së pari e krijojnë një idol te i cili hetojnë më shumë dije seç kanë ata vetë, por te i cili edhe venerojnë ambicie të mëdha dhe jogjithherë të shëndosha, për t’u mbledhur rreth hijes së tij. “Prijësi i hijeve” pastaj nuk i ndëshkon as nuk u kërkon detyrime banale, sepse masa e shkronjtorëve propagandistë e di vetë se ç’duhet bërë, masa e mediokërve i di detyrimet e veta. Kjo masë mediokre pastaj nuk gabon të marrë pozicione intelektualiste dhe elitiste karshi turmës, ajo pozicionohet në projeksionin e shpirtit kolektiv, sepse e njeh mirë psikologjinë e turmës. Ajo e merr si të vetin idealin e turmës (lirinë dhe barazinë) dhe e propagandon me të gjitha mjetet, me diskurs agresiv të ndërtuar mbi marksizmin gjuhësor, përmes trabantëve folklorikë të idealeve kombëtare dhe skribomanëve të estradës, përmes mediave që kontrollon apo që i animon. Kështu e fiton alibinë për ta instaluar modelin e përjashtimit të tjetrit. Atë tjetrin, (demonin) ngadalë e nominon për armik të çështjes (lirisë dhe barazisë) dhe e shpall për të tillë, për të mbijetuar vetë në këtë konflikt marroç, në këtë ‘luftë gjigante’ të projektuar.

Në çka konsiston ‘marksizmi gjuhësor’ i pretendentëve të pushtetit në shoqërinë shqiptare sot? Në prodhimin e zhurmës së ‘indipedencës’, si një lëvizje autoktone mbi të cilën dihet se kush e ka primatin dhe monopolin; një lëvizje e pahelmuar me ‘floskula liberale’ dhe nën sponsorizimin e ‘forcave të jashtme’, të filantropëve (George Soros) etj.

Rezonimi reprezentativ për trabantët e pushtetit aktual është: “Nën firmën e këtij projekti (projekti global i dekontaminimit të gjuhës në rrafshin informativ, politik dhe kulturor – vër. HM) synohet edhe një lloj denazifikimi, përmes krijimit të epërsisë së modeleve kosmopolite. Programet e tilla alternative nuk kanë parashenja të qarta kombëtare … Agresiviteti në komunikim, të cilin e kanë imponuar botimet që kanë në prapavijë fondacionet e huaja është rrënues.” /Milazim Krasniqi/

Si shembull i forcave rrënuese merret “Koha jonë” në Shqipëri dhe jo një qeveri e tërë e korruptuar, një shoqëri e tërë fajdexhinjsh, ndërkaq në Kosovë, këto forca rrënuese nuk janë aferat për kriminalitet ekonomik me prapavijë politike, as “qendra subversive” të shpifjeve e përjashtimit (“Bujku”, QIK, “Kosovarja”/Horri, por botimet prapa të cilave qëndron “altruizmi ndërkombëtar”). “Forca të jashtme” është një emërtim i tërthortë, i padefinuar, si zëvendësim për ‘armikun’ kur s’mund të thuhet drejtpërsëdrejti se “shoqërinë e hapur” si projekt e finansojnë agjentura të huaja!?

Kjo është psikosomatika e frymës së kohës që po e jetojmë, andaj duke parafrazuar filozofin Peter Sloterdijk, një mbindërtimi të tillë akuzues dhe përjashtues duhet përgjigjur: Zotërinj vazhdoni t’i ruani bythët tuaja nacionale me të cilat dispononi ju vetë, por me gjuhën kujdes, ajo i takon tërë një shoqërie! Sloterdijk duke bërë fjalë për psikosomatikën e frymës së kohës, në pikën 8 thotë: “Bytha vështirë të nacionalizohet (shtetëzohet), megjithëse tashmë nuk mund të mohohet se shumë bira bythe kanë lëshuar tone nacionaliste.” Sloterdijk këtë e ilustron me shembullin e Arlettës, e cila gjatë kohës së nazizmit kishte pasur marrëdhënie seksi me okupatorët gjermanë dhe akuzave ajo thonë se u është përgjigjur: “Zemra ime është franceze, mirëpo bytha ime është internacionale”!

Gjuha si pushtet…

Lidhur më gjuhën si mjet komunikimi neutral apo si ‘pushtet’, në kontekst të shoqërisë shqiptare më duket se është me interes të hedhim një shikim në disa nga teoritë e gjuhës, që nga Marksi, përmes Habermasit e Burdjës, deri te Fuko, Glyksman e Bernar Anri Levi. Po të përpiqesh që gjuhën ta përdorësh konform me projektin e shoqërisë civile, ‘shoqërisë së hapur’, që ta shtensionosh atë, pretendentët e mbisundimit kulturor dhe gjuhësor në shoqërinë tonë do ta thërrasin sërish në ndihmë marksizmin dhe tezën e Marksit: “frazat liberale s’janë veçse shprehje e idealizuar e interesave reale të borgjezisë”. Mirëpo, pikërisht kur një forcë e re kulturore e shenjëson marksizmin e tyre gjuhësor, ata e kuptojnë këtë si intencë për t’ua hequr privilegjet e mbisundimit, pra për t’ua marrë shtyllën mbi të cilën ata e kanë vendosur pushtetutën e tyre. Duke qenë se, “çdo shoqëri humane karakterizohet nga një luftë simbolike inherente për prodhimin dhe dominimin e opinionit të përgjithshëm (common sense), e sidomos për sigurimin e monopolit të emërtimit zyrtar legjitim në shoqëri”. (1) Pretendentët ‘legjitimë’ të mbisundimit e ruajnë për vete ‘legjitimitetin'(?) e monopolit të emërtimit zyrtar, e këtë ‘legjitimitet’ atyre ua siguron monopoli politik (i uzurpuar, pra jolegal) që në esencë është marksizëm.

“Sipas Marksit (dhe Engelsit), në çdo epokë të historisë njerëzore, idetë sunduese janë ato të klasës sunduese. Me fjalë të tjera, ajo klasë që është forca materiale sunduese e shoqërisë është edhe forca intelektuale sunduese e saj.” (2)

Duke u nisur nga kjo logjikë tipike për marksizmin, propaganduesit dhe mediat e ‘regjimit’, “shkrimtarët e oborrit” sot, pasi ta kenë bindur veten, përpiqen t’i bindin të tjerët se ata si ‘klasë sunduese’ janë edhe forca intelektuale, pra klasë sunduese edhe në ligjëratën, në sundimin simbolik, pra gjuhësor. Kjo klasë politiko – kulturore manifeston një zell për të dominuar, gjë që e shpjegon komplicitetin e tyre me tiranët. Në fjalët e Glyksmanit se “të dominosh do të thotë të dish; të dish do të thotë të dominosh” qëndron rrethi vicioz me epiqendrën: “Sundimtari i fabrikon të gjitha të vërtetat”, apo siç thotë shkrimtari D. Kish në “Enciklopedinë e të vdekurve”: “Historinë e shkruan fituesi, këngët i thur mileti”. Kjo dëshmon, sipas F. Tarifës, se tërë historia e filozofisë, që nga Hegeli dhe Marksi e këtej, është në komplicitet me dhunën, një shoqëri e dominuar nga parimet e shtetit revolucionar. Këtu edhe mbështetet ligjërata agresive e ‘klasës sunduese’ në shoqërinë tonë, që funksionon sipas modelit të përjashtimit. Duke e ‘zbutur’ tezën marksiste dhe duke iu shmangur përjashtimit, Jyrgen Habermas, ka një botëkuptim ‘revizionist’ kur thotë: “Gjuha është një mjet komunikimi që i shërben mirëkuptimit” (3), porse më i plotë megjithatë duket botëkuptimi i Burdjës për dimensionin kulturor dhe politik të gjuhës. Sipas tij “Gjuha është një kompetentë thelbësore e kapitalit simbolik, pa të cilën nuk ka dhe s’mund të ketë prodhim kulturor. Për më tepër, gjuha është personifikim i pushtetit simbolik dhe, si e tillë, ajo është një mjet i dominimit kulturor.” (4)

Jo vetëm Glyksman, por edhe shumë “filozofë të rinj” të postmodernës, si Bernar-Anri Levi mendojnë se “gjuha është pushtet”, dhe se “nuk ka politikë që të mos jetë para së gjithash linguistikë”, për më tepër gjuha është esenca e pushtetit, ndërkaq “gramatika është shkenca e pushtetit”, “një shkencë idiomatike e pushtetit.”

Në këtë shkrim dua të zë ngoje vetëm një fakt për ilustrim, kur pretendentët e pushtetit në shoqërinë shqiptare gramatikën e kanë për ‘shkencë të parë’ dhe ‘algjebër të dominimit’ – siç shprehet Levi.

Kjo klasë mbisunduese, ligjëratën e fillon dhe e përfundon me shumësin e vetës së parë: “NE, në takim me (filan shtetarin), NE i thamë, ai na u drejtua, NE ia bëmë me dije …; NE mendojmë se …; NE jemi për pavarësi, andaj kemi të drejtën …; NE duhet ta mbrojmë idealin kombëtar nga ‘autonomistët dhe integristët’; NE duhet ta luftojmë kosmopolitizmin që nuk ka parashenja të qarta kombëtare dhe ta denoncojmë “altruizmin ndërkombëtar” që sponsorizon forcat antikombëtare, rrënuese …”, “Ne duhet t’ua mbyllim gojët ish-komunistëve sepse ata duan që të rikthehen …” etj. Porse vetëm prijësi, qoftë ai kulturor apo politik, ka të drejtë të ndërtojë ligjëratë duke u nisur nga veta e parë njëjës: “Unë e kam pavarësinë …” apo “Unë luftoj për pavarësi …” etj. Kjo do të thotë se gramatika ka një rol të veçantë në “shkurtimin” e rrugës për t’u ngjitur në pushtet. Kjo veçmas ndikon bindshëm në rritjen e rejtingut të folësit përpara receptorëve, sepse ata presin që ligjëruesi t’u drejtohet me njëjësin e vetës së tretë, pra me AI (prijësi, presidenti) i tha filan shtetarit këtë e këtë dhe mori këtë përgjigje, por kur folësi përdor shumësin e vetës së parë, automatikisht bëhet shkrirja e identiteteve politike dhe posteve që mbajnë prijësi dhe oponentët e tij.

Ndotja e gjuhës është më e rrezikshme se ndotja nga bomba bërthamore

Në këtë stadium fillon “përpunimi i gjuhës”, arrihet kontaminimi i pjesshëm apo i plotë i saj duke krijuar tregime stereotipe mbi “Ne dhe Ata”, mbi “Unë dhe tjetri”, mbi “patriotë dhe tradhtarë”, “indipedentë dhe të nënshtruar” deri në përmasa të tragjedive shekspiriane, siç shprehet Amos Oz, perdja e të cilave bie rëndom me gjak dhe terror (sindromi i Shqipërisë gjatë krizës së këtij viti). Gjuha kështu vdiret, reduktohet në disa fraza, të cilat më fort u ngjajnë komunikatave të palëve ndërluftuese sesa shkrimeve gazetareske, letrare apo diskursive (Ismail Kadare në romanin “Piramida” shfaq bindjen se diktatura “bluan” edhe gjuhën, duke e reduktuar atë në treqind fjalë, sa që mund ta mësojnë edhe qentë!), dhe kjo gjuhë e vdirur pastaj nis të prodhojë tym, shumë tym, i cili së pari te turma krijon perde të mugët, pastaj frazat ripërtypen dhe prodhojnë shumë zhurmë (lehje apo ulërima?), që krijon perde të mosdëgjimit. Dhe, nis procesi i bindjes. Rregulla loje më s’ka, ka vetëm besim apo vetëm nënshtrim.

“Ndotja e gjuhës i paraprin ndotjes së ambientit dhe dinjitetit dhe i parapërgatit. Në fund, shteti, regjimi, klasa apo ideja, mbesin të paprekura, derisa jeta njerëzore përdhoset” – thotë shkrimtari i famshëm hebre Amos Oz.

Ndotja e gjuhës është shumëfish më e rrezikshme sesa kontaminimi nga bomba bërthamore, sepse ajo betonohet me shekuj të tërë në shpirtin dhe mbamendjen e një shoqërie.

Tashti mungon, të thuash totalisht, vetëdija kritike ndaj liderit, prijësit moral dhe shpirtëror dhe edhe ata që kanë kurajo për të folur zëshëm hedhen shpejt në taborrin e armikut nën etiketat stereotipe. E, në mungesë të zërit kritik, edhe njeriu me tipare bukur liberale, nis t’i thyejë pasqyrat përreth, shikon vetëm para vetes, përbuz njerëzit, ndjehet tepër i fuqishëm, e sheh veten në pantheonin e të pavdekshmëve dhe ndjen sikur gjyqi i historisë nuk rëndon më mbi të. Kështu lind diktatori …

Turma më së pari çuditet, ka ende dilema, pastaj pohon me kokë. Më vonë ajo terrorizohet me shkrime e fjalë, bombardohet me informata të të gjitha llojeve deri në përgjumje, përgatitet shpirtërisht për t’i përballuar një “rreziku” që e projekton “qendra subversive” e mediokritetit si pushtet moral. Pastaj, për ta bërë sa më bindës rrezikun potencial nga tjetri, nga “armiku” fillon fabrikimi i armikut, riprodhimi i tij, që ai të duket përbindësh i vërtetë, pra armik serioz e jo çfarëdo, që turma të animohet dhe të homogjenizohet deri në gjendje transi, kur do të jetë e gatshme që ta mbrojë pushtetin e mediokërve. Nga kjo klasë e mbisundimit, andaj, gjuha si pushtet reduktohet deri në përmasat e ritualizimit të ligjëratës dhe ky sistem ritual është gjithnjë e më restriktiv dhe shtrëngues. Mishel

Fuko thotë: “dihen procedurat e përjashtimit. Më evidentja dhe më e afërta është ndalesa. (5) Sipas Fukosë, pos përjashtimit dhe ndalesës, kemi edhe ndrajen dhe refuzimin. Klasa mbisunduese nuk e pranon as differend-in (Liotar) në ligjëratë që ka për pikëmbështetje Agon-in, por i mëshohet borisë së universalitetit dhe ekskuluzivitetit të gjuhës “sa të jetë jeta” (6), duke e reduktuar gjuhën thjesht në pushtet total.

Kjo klasë mbisunduese sot ndeshet me problemin kyç që i ka dalur në rrugë: shtypi i lirë, të cilin me më dëshirë do ta ndalonte, por kur dihen reperkusionet klasa mbisunduese nuk guxon ta marrë një hap të tillë radikal për të mbetur kështu në dimensionin e përjashtimit, ndarjes (veçimit) dhe refuzimit. Me po një lehtësi të padurueshme, klasa mbisunduese do ta instalonte censurën, por edhe kjo i kushton, prandaj llogarit në një autocensurë komplementare me faktin se “kemi çështje më madhore”, të mos shprushim, porse nëse as autocensura në shtyp duket se nuk funksionon, këta të çmeritur bërtasin: “Ja, armiku i brendshëm, i cytur nga ai i jashtmi, po e rrënon shtetin tonë”!? Ata, në të vërtetë, janë të çmeritur nga frika se po i humbin privilegjet, sepse për çështje madhore zor se ua ndien më shumë se ‘kosmopolitanëve’ apo ‘liberalëve’ …

Tragjedia shekspiriane e gjakut apo kompromisi dhe shthurja tragjike çehoviane …

Shkrimtari Amos Oz, si alternativë të tragjedive shekspiriane, shtron variantin e tragjedive çehoviane. “Në letërsi tragjeditë shthuren në dy mënyra; shekspirçe dhe çehovçe. Në fund të tragjedive shekspiriane, skena është e mbushur me trupa të vdekur, kurse diku fare në lartësi ndoshta dritëson ndonjëfarë drejtësie. Tragjedia çehoviane, në anën tjetër, përfundon me një rënie të përgjithshme të iluzioneve, ndonëse plot idhnim, zemra të thyeme, zhgënjim, trandje apsolute, por që të gjithë akoma janë të gjallë.”

Mediokrit, në të gjitha fushat e jetës, dhe posaçërisht shkrimtarët mediokër janë shpirtërisht joinventivë, prandaj domosdoshmërisht inferiorë dhe të frustruar. Ata i frikësohen shumë të nesërmes, forcave kohezive që i prodhon koha, epoka e re, sepse ata si qenie njerëzore tuten mos i humbin privilegjet, vendet e punës, fitimet, por edhe emrat dhe rejtingun që ia kanë vënë vetes si gallape. Pameritueshëm, natyrisht. Roli i drejtpërdrejtë social i letërsisë, sipas Oz-it, është që t’i shkatërrojë stereotipet dhe klishetë të cilat, shih çudën, kryesisht i krijojnë brezat e mëparshëm të shkrimtarëve. “Mbrojtja e gjuhës është mënyra ime që ta promovoj paqen: luftë e pandalshme kundër degradimit të gjuhës, kundër ngulitjes së stereotipeve, racizmit dhe jotolerancës, kundër mburravecërisë në dhunë.” – mendon Oz.

Mediokrit janë degraduesit më rentabël të gjuhës, por ata janë njerëz dhe duhet të trajtohen si njerëz. Njerëz paranoikë ose të frikësuar. Ata, duke mos ditur se çka sjell e nesërmja, e mbrojnë kohën e shkuar dhe të sotmen e tyre, ndryshe e pat pushteti i tyre. Reaksionet e tyre janë paranoike, ndonjëherë edhe animale (rrezikimi i llojit), këmbëngulëse dhe shpesh të pakontrolluara, ata bëhen nervozë, mbushen plot urrejtje deri në ksenofobi të tmerrshme. Atyre duhet t’ua “marrim” armën kryesore, gjuhën, ‘gjuhën si pushtet’, duke ua kthyer si kundërshpagim vlerat e shoqërisë së hapur, sundimin e ligjit e jo të njerëzve, duke ua bërë të dukshme e të ndjeshme vlerat e dijes së re, të ‘filozofisë së re’; garantimin e të drejtave dhe lirive njerëzore; duke ua mësuar pastaj gjuhën normale, të shtensionuar… duke iu qasur të çliruar nga modeli i përjashtimit, nga agresiviteti dhe terrori verbal. Atyre duhet qasur vetëm me gjuhën që flet me forcën e argumentit, sepse argumentin e forcës e kanë ata vetë.

Te mileu më i ngritur mendërisht nuk vjen një nevojë e tillë psikologjike për aleanca natyrore dhe, edhe është e vetëdijshme se gjuha është pushtet, kjo shtresë e mendimtarëve të rinj nuk e ngrit ligjërimin e vet në doktrinë porse e lë në ligjëratë të hapur, nuk ka dëshirë ta mbisundojë shoqërinë, prandaj nuk i përfill procedurat e përjashtimit dhe aq më pak, atë më të drejtpërdrejtën, ndalesën. Kështu që këta punojnë e veprojnë si individualistë, më rallë në ekipe të vogla, vështirë arrijnë t’i depërtojnë muret e trasha që i kanë vënë mediokrit midis turmës dhe trurit shoqëror. Por, ndoshta edhe mendimtarët e rinj bien në kurthin e gjuhës, duke u dhënë mediokërve motiv për rezistencë ndaj dijes, vendosjes së të drejtës, ligjit dhe qytetarisë. Sepse, ata e hetojnë disproporcionin e dijes me pushtetin, kur një shoqëri ka më tepër pushtet sesa institucione civile, atëherë shtrohet nevoja e ristrukturimit të asaj shoqërie. Por, klasa që mbisundon duhet bindur për rritjen e institucioneve civile e jo të denoncohet rritja e pushtetit të tyre, sepse me vetë faktin se krijohen institucione të reja, pra me rritjen e tyre sundimi zvogëlohet dhe forca e shoqërisë rritet.

Preferoj një gjuhë suptile dhe të dekontaminuar, me diskurs të shtensionuar, që respekton integritetin fizik e social të klasës sunduese. Ajo duhet të bindet se vetëm për vlerat e shoqërisë civile e vlen çdo sakrificë, sepse vetëm shoqëria civile i mbron të gjitha shtresat shoqërore, ndërkaq diktaturat në fillim ua krijojnë iluzionin se i mbrojnë, por me forcimin e saj, ata (të gjithë njerëzit pa veçim shtresor, pos oborrit) i trajton si skllevër dhe i çon nëpër gurore, për të thyer gurë e për të ndërtuar piramida!??? Ku nis të përjetohet katarsisi, nis trandja, në ankth farkohet ngadalë intenca e daljes përtej ankthit. Zorshëm krijohet vetëdija antidiktatoriale, civile, kurse rruga më e shkurtë është projekti i revolucionit, që do të thotë se përqafohet projekti i luftës qytetare… Kaherë e parë!

Dijetari spanjol Ortega Y Gasset, duke e komentuar gjendjen e shtetit (përkatësisht të “anijes së shtetit”) në Evropën Perëndimore nga fundi i shekullit XVIII deri në mesin e shekullit XIX dhe raportin e tij kundrejt masës, shkruante: “Dallimi shumë i madh përkah niveli ndërmjet forcës së shoqërisë dhe të dhunës publike shkaktoi deri më 1848 revolucionin, shkaktoi revolucionet”. (7)

Prandaj, duket se kontaminimi i gjuhës zbeh forcën e shoqërisë dhe rrit shumëfish dhunën, së pari dhunën dhe terrorin verbal, pastaj rroken sakicat…, pra një disproporcion i tillë po e çon shoqërinë shqiptare në tragjedi. Pra, në paradiktaturë, dhe logjikisht më vonë, pas konturimit të diktaturës, në revolucion. Parimisht jam kundër revolucioneve, por paraprakisht mbroj qëndrimin e preventivës antidiktaturë, sepse, nëse ky model i qeverisjes arrin të konturohet, atëherë revolucioni është e keqja tmerrësisht e domosdoshme!

“Civilizimi është, para së gjithash, dëshirë dhe vullnet për jetë në bashkësi me të tjerët” (8) – thotë Ortega Y Gasset. Në epiqendër të mendësisë liberale nuk është përjashtimi as satanizimi i kundërshtarit, por të jetuarit në bashkësi me të, në dallime, një koekzistencë paqësore dhe aktive me kundërshtarin. “Të jetosh në bashkësi me armikun! Të sundosh bashkë me opozitën” (9) – siç thotë Gasset, këtu është pikëmbështetja e shoqërisë civile, e paakceptueshme për pretendentët e mbisundimit në shoqërinë shqiptare. Të provojmë së paku që shthurja të jetë çehoviane. Ta marrim depresionin, deziluzionizmin dhe zhgënjimin, e ta lëmë helmin a litarin, hurin e gardhit a sopatën dhe plumbin shekspirian… Po atakohet gjuha, kultura dhe vlerat shpirtërore. Shkoi fytyra. Së paku të ruhen njerëzit.

__________

Shënime:

  1. Perre Bourdieu. Cituar sipas: Fatos Tarifa: Gjuha element thelbësor i jetës shoqërore (MM, 6-7 1997,Prishtinë)

  2. Cituar sipas: F. Tarifa: Gjuha element thelbësor i jetës shoqërore./Po aty/

  3. Jyrgen Habermas. Cit. sipas F.Tarifës./Po aty/

  4. Bordjë. Cit. sipas F.T./Po aty/

  5. Mishel Fuko: Rendi i diskursit/MM nr.2, përkthyer nga Rexhep Ismajli/

  6. Term i A.S.Senit, që e citon Izaijah BERLIN: Teoria e lirisë/MM nr2., përkthyer nga Bashkim Shehu/

  7. Oretega Y Gasset: Pobuna masa, Alef, Gradac, 1988.

  8. O.Y Gasset: Po aty.Fq.80.

  9. Gasset: Po aty. Fq.81.

 

Exit mobile version