Në seancën e sotme të gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona, u dëgjuan shtatë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.
Pyetjeve të prokurorëve, gjyqtarit dhe avokatëve të të akuzuarve dhe të dëmtuarve iu përgjigjën dy mjekë, një infermiere dhe katër persona që shoqëronin pacientët në spitalin modular.
Në dëshmi, dy mjekët Mustafa Tairi dhe Shpenza Arifi Zeqiri dhe infermierja Nadire e punësuar në Spitalin Klinik kanë sqaruar se në mbrëmje ka pasur nevojë për reanimim të një pacienti, një gruaje 21-vjeçare, pas çka në spital ka shpërthyer zjarri i cili më pas edhe u përhap. Ata shpjeguan se çfarë përpjekjesh kanë bërë për të shuar zjarrin, ku dhe si kanë kërkuar ndihmë dhe si janë evakuuar pacientët.
Në pyetjen e prokurorëve dhe avokatëve se çfarë urdhrash kanë marrë mjekët nga mjeku i akuzuar Boban Vuçevski, ata kanë sqaruar se si specialist u ka dhënë udhëzime lidhur me protokollet se si të sillen me pacientët dhe çfarë terapie t’u japin, e nuk e kanë marrëndonjë urdhër tjetër prej tij. Në pyetjen e gjyqtarit nëse kishte portir në spitalin modular, dëshmitarët treguan se nuk kishte. Ata theksuan se në derën e hyrjes së spitalit modular kishte një urdhër me shkrim që vizitorët ndaloheshin të hynin, por edhe se përballeshin me persona agresivë, të cilët, përkundër kësaj, kërkonin të ishin të pranishëm në dhomat e spitalit.
Dëshmitarët që ndodheshin në spitalin modular si shoqërues i familjarëve të tyre kishin mendime të ndryshme nëse dikush i ndalonte të qëndronin në dhoma. Dëshmitarja Olivera Veselinovska si nënë e një fëmije me nevoja të veçanta tha se ka qenë prezente me dokument dhe se nuk i kanë bërë problem. Dëshmitarja Violeta Petrushevska, bashkëshorti i së cilës ishte pacient, tha se atyre u është ndaluar rreptësisht hyrja. Ajo tregoi se bënte përpjekje që ndonjëherë të hynte në dhomën e spitalit për të ndihmuar të shoqin, i cili ishte në gjendje të rëndë klinike, të ndërronte rrobat e kështu me radhë, pas së cilës ajo dilte nga dhoma e spitalit.
Dëshmitari Imran Shaqiri, bashkëshorti i së cilës ishte i shtruar në spital, tha se ajo ishte vazhdimisht aty gjatë 28 ditëve të shtrimit dhe se brenda kishte disa persona të cilët i shoqëronin të sëmurët tjerë. Dëshmitari Mumin Ismaili tha se bashkë me vëllain e tij kanë qenë gjatë gjithë kohës me radhë pranë nënës së tyre të sëmurë dhe ka theksuar se asnjë nga personeli mjekësor nuk e ka ndaluar të qëndrojë në dhomën e spitalit dhe se në dhomë nuk ka asnjë portir.
Gjykimi do të vazhdojë më 16 shkurt me dëgjimin e më shumë dëshmitarëve, ndërsa gjyqtari Jordan Velkovski njoftoi se do të ftohen edhe ekspertët që e kanë përgatitur ekspertizën. Më pas do të ketë seanca të dëshmitarëve dhe prova me shkrim të mbrojtjes.
Të akuzuarit, drejtorët Fjorin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajin dhe se nuk e kanë kryer krimet për të cilat akuzohen.
Gjyqi për zjarrin e ndodhur më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetë u plagosën, filloi më 7 dhjetor 2022, ndërsa u shty disa herë nga shtatori i vitit 2022 e më pas./Telegrafi/