Site icon Telegrafi

​Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Kobra City”

Në seancën gjyqësore ndaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren janë dëgjuar dy dëshmitarë, Liridon Ajazi dhe Brendon Kurtaj.

Liridon Ajazi gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha se asgjë nuk i kujtohet sepse ka qenë shumë i dehur, por ai tha se të akuzuarit i njeh sepse janë të një fshati.

Prokurorja e rastit Merita Bina Rugova e ballafaqoi me disa pjesë të deklaratës së tij dhënë në Polici dëshmitarin Liridon Ajazi, raporton KP.

Ajo tutje e pyeti dëshmitarin se a ka dëgjuar të shtëna, ndërsa, dëshmitari Ajazi tha se ka dëgjuar krisma por “nuk e di sa”.

Sipas tij, në natën e 3 janarit 2023 ka ndodhur një tollovi në lokal dhe ai ka shkuar në afërsi të banjos.

I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj se kur e ka parë klientin e tij atë natë, dëshmitari Latifi tha se në lokal Dibran Hoxhën e ka parë në momentin kur ka arritur Policia.

Se ndodhej në lokalin “Kobra City” në natën kritike deklaroi edhe dëshmitari tjetër, Brendon Kurtaj.

Edhe ai tha se ka qenë në lokal dhe ka qenë po ashtu shumë i dehur.

Gjatë seancës, trupi gjykues dha njoftimin se Policia nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për Hasime Idrizin dhe nuk e kanë gjetur në adresën e dhënë, madje u tha se nuk e njohin as banorët e rrethinës.

Derisa prokurorja Merita Rugova kërkoi të lexohet deklarata e kësaj dëshmitareje me këtë kërkesë u pajtua edhe mbrojtja e palës së dëmtuar.

Ndërsa, avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj kërkoi që fillimisht të bëhen më shumë përpjekje të sigurohet dëshmitarja.

Më pas trupi gjykues mori vendim që të mos të lexohet në seancën e sotme dëshmia e dëshmitares Hasime Idrizi dhe se “do të urdhërojë verifikim të adresës”.

Data e radhës për seanca u caktuan më 2 dhe 4 prill, si dhe 15 prill nga ora 09:30.

Exit mobile version