Qeveria shqiptare miratoi sot vendimin për të akorduar bursë sa paga minimale mujore për studentët, që do të zgjedhin degë si mësuesia, bujqësia apo turizmi.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë se është miratuar një vendim sa i takon programeve të studimit që nuk kanë interes të lartë nga studentët.
Ajo u shpreh se çdo student që vendos të vijojë studimet në këto degë do të përfitojë një bursë sa paga minimale, pra 40 mijë lekë [370 euro] çdo muaj me kushtin që për tre vite pas përfundimit të studimeve të japë kontributin e tij në vend.
“Kuotat për këto bursa do të ndahen sipas universitetit, në varësi të programeve të studimeve dhe të numrit të studentëve”, sqaroi Kushi.
Ministrja shtoi se për këto studentë në mënyrë që të përfitojnë dhe bursën kanë hequr mesataren 8.5.