Site icon Telegrafi

Dega e GUXO në Ferizaj shuan aktivitetin, Meta zbulon pakënaqësitë ndaj Gërvallës dhe Pecit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë GUXO, Burim Meta ka thënë se ka pakënaqësi të shumta brenda strukturave të këtij subjekti, me dy krerët e partisë, Donika Gërvallën dhe Faton Pecin.

Si rrjedhojë e këtyre pakënaqësive, Meta ka bërë të ditur për Telegrafin se është marrë vendim që dega e GUXO-s në Ferizaj të shuajë aktivitetin e saj.

“Është e vërtetë, në mbledhjen e brendshme që ka pas kryesia e GUXO-s ka marrë një vendim të tillë si rezultat i largimit nga kauza e identitetit politik nga dy bashkëkryetarët e partisë, dhe shfrytëzimi i partisë vetëm për interesa personale dhe duke shkelur mbi të gjithë të tjerët, duke mos lejuar fjalën e lirë e duke mos pranuar asnjëherë mendimin ndryshe dhe duke i shkelur shumicën e neneve të statutit të partisë”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se përveç degës në Ferizaj, ka edhe shumë anëtarë të tjerë të pakënaqur në të gjitha degët në komunat e tjera.

“Po ka shumë të pakënaqur nga të gjitha degët në komuna, janë vetëm një grup njerëzish që mund ti numërosh me gishtat dy duarve që këta i mbajnë nën kontroll, ndërkaq struktura tjetër sikurse Këshilli i Përgjithshëm që është organi më i lartë ekzekutiv i partisë, nuk mendon si ta”, tha Meta.

Lexo po ashtu A do të ketë listë të përbashkët zgjedhore LVV-Guxo-Alternativa? Deputeti Meta tregon kërkesat e Listës "Guxo"

Meta ka thënë se kjo nuk nënkupton që nuk do t’i përkrahin Gërvallën dhe Pecin në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt.

“Do t’i përkrahim në këto zgjedhje të 9 shkurtit, jemi ne struktura e GUXO-s që e ruajmë kauzën dhe identitetin e saj. Elektorati është i njoftuar me këto gjëra, ne nuk e kemi një reagim të tillë për të dëmtuar dikë, por për të paraqitur mendimin tonë objektiv dhe konstruktiv”, u shpreh Meta.

I pyetur se a mund të ketë shkarkim të Gërvallës dhe Pecit për shkak të këtyre pakënaqësive, deputeti i Kuvendit të Kosovës u shpreh se nuk është pro “formave të tilla radikale”.

“Tash të shohim se cilat janë kërkesat e strukturës së GUXO-s, nëse paraqitet një kërkesë e tillë atëherë ne mund ti ndërrojmë, por unë nuk jam që të shkojmë në forma të tilla radikale, por që ata kanë devijuar nga rruga kjo është mëse e dukshme”, tha Meta. /Telegrafi/

Exit mobile version