Telegrafi

Deficiti në Gjermani – hera e parë në 30 vjet

Në maj, Gjermania regjistroi deficitin e saj të parë tregtar mujor që nga viti 1991.

Kjo ka ndodhur për shkak të inflacionit të lartë dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit që po tensionojnë bazën industriale të vendit.

Të dhënat nga Enti Federal i Statistikave, Destatis, tregojnë se rritja e vlerës së importeve dhe rënia modeste e eksporteve e shtynë ekonominë më të madhe të Evropës në një deficit tregtar prej një miliard eurosh në muajin maj, raporton ft, duke shtuar se ky është deficiti i parë mujor në këtë vend që nga ribashkimi i Gjermanisë.

Eksportet në maj ranë me 0.5 për qind krahasuar me një muaj më parë, në 125.8 miliardë euro, ndërsa importet u rritën me 2.7 për qind në 126.7 miliardë euro, që i tejkaloi pritshmëritë e ekonomistëve.

Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021, eksportet u rritën me gati 12 për qind, ndërsa vlera e importeve u rrit me gati 30 për qind.

Baza prodhuese e Gjermanisë po përballet me ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global të shkaktuar nga pandemia dhe masat e bllokimit të Kinës për të frenuar përhapjen e virusit.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe dobësimi i kërkesës për mallra po rëndojnë gjithashtu aktivitetin e prodhimit, vuri në dukje agjencia me bazë në New York. /Telegrafi/