Telegrafi

Deficiti i lartë tregtarë vazhdon

Ndonëse ka shënuar rritje nga viti në vit për rreth 2.5 për qind, eksporti mbulon vetëm rreth 6 për qind të importit me vendet e CEFTË-s, kurse më pak se 6 për qind me vendet e tjera. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, eksporti i përgjithshëm kap shumën rreth 74 milionë euro, prej të cilave, rreth gjysma vetëm në vendet anëtare të CEFTË-s. Këto të dhëna i paraqiti përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Bedri Abdyli.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Mimoza Kusari – Lila, vuri në dukje se Kosova është i vetmi vend në rajon që zbaton TVSH në shërbime. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po bën përpjekje të vazhdueshme për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të tregtisë, me qëllim që produktet kosovare të plasohen edhe në tregjet e jashtme, tha Hafiz Gara, drejtues i Agjencisë për standardizim në MTI.

Ndërkaq, Izer Arifi nga MTI-ja, tha se institucionet kanë krijuar rregullativë ligjore për stimulim të eksportit, por ende mbetet për t’u bërë në këtë drejtim. Burimet e deficitit tregtar mund të mbulohen nga dërgesat nga jashtë, investimet e jashtme dhe nga komuniteti i donatorëve, tha Hajdar Korbi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërkohë, pjesëmarrësit theksuan se përmes një bashkëpunimi më të mirë në mes të institucioneve dhe organizatave të biznesit, mund të mbrohet prodhimtaria vendore, por edhe të stimulohet eksporti.