Telegrafi

Defektet e kalldrëmit të ri në rrugën e kalasë së Beratit

Një vit pas përfundimit të punimeve të rikonstruksionit të rrugës “Mihal Komeneno” për në lagjen “Kala” dhe vendin e quajtur “Tabja” në qytetin e Beratit, janë shfaqur defekte që kanë shqetësuar banorët dhe futur në përplasje institucionet vendore dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Thoma Doga, është një banor i hershëm i rrugës që çon drejt kalasë shekullore të Beratit. Ai i vjen në ndihmë familjes me një dyqan të vogël që ndodhet në anë të rrugës, ku veçanërisht gjatë verës ka lëvizje. Ndërsa, është në pritje të klientëve të radhës, Doga shikon me kujdes kalldrëmin e ri që është ndërtuar këtu së fundmi.

“Disa gurë kanë lëvizur nga vendi dhe po shfaqen hapësira mes rreshtave të kalldrëmit”, thotë ai.

Banorët këtu janë të lidhur shumë me lagjen dhe investimi i fundit i gëzoi, por tani shohin me sy kritik spostimin e gurëve mes rreshtave dhe dëmtimet e tyre vende-vende.

Shqetësimi i banorit nuk është i vetmi. Defektet e kalldrëmit, që ishte investimi më i rëndësishëm ndër vite aty, ka sjellë reagime në rrjetet sociale.

Kryebashkiaku i Beratit, Petrit Sinaj, thotë se se problemet që u shfaqën pas përfundimit të projektit, bënë që ai të mos merrte pjesë në inaugurim dhe që bashkia të merrte në dorëzim me kushte kalldrëmin. Ndërkohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës, ndërsa pranuan problemin, ia lanë përgjegjësinë pushtetit vendor dhe hapjes së rrugës për makina të tonazhit të rëndë dhe lëvizjes me dy drejtime.

Probleme të ngjashme me rehabilitimin e kalldrëmeve të vjetra në një tjetër qytet që mbrohet nga UNESCO u vunë në dukje në Gjirokastër në një projekt të financuar po ashtu nga Banka Botërore. /BIRN/