Në sezonin 2020/2021, Ardian Ismajli do të luajë në Serie A, pasi është transferuar te klubi i promovuar këtë edicion, Spezia.
23-vjeçari është larguar nga Hajduku i Splititi për të kaluar në kampionatin italian, ndërsa klubi kroat ka përfituar rreth 2.5 milionë euro me shitjen e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, mbrojtësi shqiptar i ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetët gjatë viteve të kaluara (2016-2020) në Split.
“Në radhë të parë, dua t’i falënderoj të gjithë që më kanë qëndruar pranë që nga fillimi, të cilët ma kanë bërë të mundur që të rritem si lojtar dhe si person”.
“Faleminderit Torcida (tifozët e Hajdukut), të cilët gjithmonë kanë qenë mbështetje, edhe kur ka qenë vështirë dhe kur nuk ka ecur. Faleminderit të gjithë trajnerëve dhe bashkëlojtarëve të mi në pesë vitet e fundit. Gjithmonë do të jem një tifoz i Hajdukut. Faleminderit të gjithëve nga zemra”, ka shkruar Ismajli.
Ndryshe, futbollisti nga Kosova që e përfaqëson Shqipërinë, e ka nisur karrierën te 2 Korriku duke vazhduar te Prishtina, pastaj te Hajduku dhe tash te Spezia. /Telegrafi/