Site icon Telegrafi

Dedaj: Thaçi më torturoi

Ish-zëvendësministri i Punës e Mirëqenies Sociale, e më pas edhe zëvendësministër i Transportit, ka shpërthyer me akuza të rënda për kreun e ekzekutivit, Hashim Thaçi. Më së shumti, Dedajt i ka mbetur hatri për një ngjarje që kishte ndodhur gjatë kohës së luftës në Drenicë.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, ka rrëfyer Dedaj në emisionin Rubikon në KTV.

Tani Dedaj kërkon nga Thaçi t’i jep përgjigje pse e ka ndaluar në një mision siç tha kombëtar për të qenë afër bashkëkombësve tanë. “Gjergj Dedaj ende s’ka fol. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëviz në Kosovë”, ka thënë ai.

Liberali Dedaj nuk u ndal me kaq. Ai drejtoi akuza për PDK-në dhe Thaçin, duke thënë se zgjedhjet e fituara nga PDK, ishin të manipuluara. “Ai edhe 100 palë zgjedhje po të mbahen do t’i fitojë. Këto janë zgjedhje të manipuluara. Kur të kesh para sa të duash, mekanizma tjerë, edhe Berlusconi i fitoi votat, por humbi, edhe Sanaderi, edhe Gadaffi. Aspak nuk më bënë përshtypje çka s’i pëlqen Thaçit”, ka thënë ai, raporton indeksonline.

Dikur aleat i Thaçit dhe PDK-së, Dedaj u caktua zëvendësministër i Transportit, por qe shkarkuar menjëherë, pas dyshimeve për keqpërdorime. /Telegrafi/

Exit mobile version