Site icon Telegrafi

Dedaj: Lirohet Tomor Morina, e drejta triumfon

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka përshëndetur lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili po mbahej në paraburgim tash e dy javë nga policia maqedonase.

Dedaj në një shkrim të bërë në Facebook, ka falënderuar institucionet e Shkupit për bashkëpunim, transmeton Telegrafi.

“Lirohet Tomor Morina, e drejta triumfon. Tomor Morina, ish-ushtar i UÇK-së, është liruar sot nga burgu, ku po mbahej pas ndalimit në pikën kufitare Bllacë Hani i Elezit, nga policia e Maqedonisë së Veriut në bazë të një flet-arresti të INTERPOL-it. Falënderojmë institucionet e Shkupit zyrtar, drejtorinë e burgut Shutka, për bashkëpunimin me institucionet dhe ambasadën e Republikës së Kosovës, për lirimin e Tomor Morinës”, ka thënë Dedaj.

Tomor Morina është liruar pasditen e 14 gushtit, me vendim se Serbia nuk i ka plotësuar kërkesat juridike për ekstradimin e tij, me akuzën për krim ndaj njerëzimit në luftën e vitit 1998.

Lexo po ashtu Lirohet Tomor Morina, i ndaluar nga Maqedonia pas fletarrestit nga Serbia

“Jam këtu tek dyert e burgut duke e pritur të del”, tha avokati i Tomor Morinës, Naser Raufi për Telegrafin.

Morinës i hiqet masa e paraburgimit, ndërsa Gjykata Penale e Shkupit i caktoi masë kujdesi./Telegrafi/

 

Exit mobile version