Qasja e zyrës së Federica Mogherinit në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte e dëmshme, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa.
“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çfarëdo forme që kyçen, nuk mund të ketë sukses ky proces. Sa herë që SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë në një linjë apo kanë pasur një qasje unike në Ballkan, kanë pasur edhe sukses. Kur nuk ka pasur unitet trans-atlantik, atëherë nuk ka pasur sukses dhe unë mund ta shpreh, si Alternativë, ne jemi të zhgënjyer me rolin e zonjës Mogherini, sidomos në këta 12 muajt e fundit karshi këtij procesi të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Deda.
Duke folur rreth mundësisë së krijimit të një ekipi negociator që do ta përfaqësonte Kosovën në fazën finale të dialogut me Serbinë, Deda ka theksuar se i gjithë spektri politik po përballet me një situtatë të përplasjes së dy skajshmërive.
“E para është një vetëdije, të cilën ne ne Alternativë e kemi, por është edhe te partitë tjera, që konsensusi është i domosdoshëm për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me mosbesimin e thellë që ekziston ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi”, deklaroi Deda.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, tutje u shpreh se Kosova ka nevojë për unitet politik rreth dialogut me Serbinë.
“Uniteti politik për dialog do të thotë se kushdo që është udhëheqës i këtij procesi nuk mund të shkojë të flasë çfarë të dojë atje. Uniteti edhe e kornizon kryesuesin e delegacionit të Kosovës”, tha Deda.
Deda shtoi se presidenti Hashim Thaçi nuk është kryesues i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Sipas tij Thaçi është i vetëemëruar sepse kryesuesin dhe delegacionin i emëron Kuvendi i Kosovës. /REL/