Site icon Telegrafi

Deda: Thaçi po e zhvleftëson shpalljen e pavarësisë

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi është duke e zhvlerësuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës si dhe njohjen nga më shumë se 110 shtete.

Deda në një postim në rrjetin e tij social Facebook ka thënë presidenti Thaçi po bën llomotitje të rrezikshme duke legjitimuar ‘çnjohjen’ e pavarësisë së Kosovës.

“Kur H. Thaçi deklaron që Kosova do të shndërrohet në Qipro Veriore, Oseti e Abkazi- kështu e zhvlerëson shpalljen e pavarësisë, njohjen e më shumë se 110 shteteve, mendimin dhe legjitimimin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në dhjetëra organizata ndërkombëtare, MSA-në. Me këto deklarata e rikthen e legjitimon qëndrimin e Serbisë sepse Qipro Veriore është pjesë e Republikës së Qipros, ndërsa Osetia dhe Abkazia janë pjesë e Gjeorgjisë. Dhe, me këto llomotitje të rrezikshme e legjitimon ‘çnjohjen’ e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Deda në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version