Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se pas dy viteve u sqarua se nuk mund të ketë më “dialog Presidentësh”.
Deda në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se sot ka përfunduar edhe roli i presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin zhbëhet Delegacioni Shtetëror për dialog me Serbinë e sjell edhe një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi që siç tha Deda, ky vendim e sqaron kush ka mandat të udhëheqë dialogun me Serbinë.
“Mbas gati dy viteve u sqarua se nuk mund të ketë më “dialog Presidentësh”. Sot përfundoi edhe roli i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin zhbëhet Delegacioni Shtetëror për dialog me Serbinë e sjell edhe një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm – e sqaron kush ka mandat të udhëheqë dialogun me Serbinë.
Vetëm Qeveria dhe Kryeministri kanë të drejtë dhe bazë kushtetuese që të mirren me dialog – pikat 86, 87, 97, 98 dhe 107 të aktvendimit.
Ndërsa, Kuvendi e ka mandat, pra obligim, mbikqyrjen e politikës së jashtme dhe sigurisë, do të thotë dialogun me Serbinë – pikat 92 dhe 93 të aktvendimit”, ka shkruar në Facebook, Deda.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka pranuar të drejtë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Dialogut.
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se Haxhiu e kanë kundërshtuar edhe mënyrën se si ka shkuar procesi i dialogut.
“Ne e kemi kundërshtuar preisdentin Thaçi që ka marr përsipër në mënyrë jo kushtetuese, çështjen e dialogut me Serbinë, dhe në anën tjetër kemi kundërshtuar mënyrën se si ka shkuar ky proces. Ne kemi pasur qëndrimin që së pari është dashur të bëhet bilanci i 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, dhe pastaj të bëhet një listë e kërkesave për Serbinë, duke filluar nga njohja, dëmshpërblimi i krimeve, gjetja e të pagjeturve etj”, ka thënë ajo transmeton Telegrafi.
Ajo ka theksuar se zgjidhja e vetme tani janë zgjedhjet.
“Në këto rrethana kur kemi një president që në mënyrë jo kushtetuese ka udhëhequr dialogun me Serbinë, kur kemi një kryeministër i cili për të ruajtur karrigen e tij dhe për t’i kënaqur apetitet e sëmura të presidentit Thaçi, refuzoj të marr përsipër kompetencat e tij kushtetuese në raport me dialogun, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, dhe dhënia e përgjegjësisë nga këta njerëz që i kanë shkaktuar shumë dëme vendit”, është shprehur ajo.
Ndryshe sot Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. /Telegrafi/