Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se ndryshimi në Kosovë mund të bëhet vetëm nëse bashkohet spektri i tanishëm opozitar.
Deda, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë vendosja e 22 gushtit si datë për shpërndarjen e Kuvendit do të shtynë formimin e qeverisë dhe Kosovës do t’ia humb një gjysmë vit.
Ai ka thënë se për Kosovën është i nevojshëm një koalicion opozitar. Thotë se LDK-së si partia më e madhe demokratike do t’i takonte kryeministri por nëse ajo vendos këtë post t’ia jep Albin Kurtit për të nuk do të ishte problem.
Deputeti i Alternativës thotë se nuk është luksi që partitë opozitare të shkojnë të ndara në zgjedhje.
“Nuk është luksi as momenti për t’u matur vet në zgjedhje. Ky vend nuk përfiton asgjë nga kjo. Pastaj edhe rrezikojmë shumë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deda thotë se nga intervistat e deritanishme që ka dhënë kryetari i ri konfirmuar i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka mbyllur dyert e një koalicioni të mundshëm opozitar.
Ai thotë se personalisht do të punojë deri në momentin e fundit për një koalicion parazgjedhor mes partive opozitare.
“Ndryshimi nuk mund të bëhet veç e veç nga partitë opozitare. Ndryshimi bëhet vetë nëse bashkohen partitë që janë aktualisht në opozitë”.
Deputeti opozitar ka thënë se bashkimi opozitar është mirë të bëhet qysh tash e të mos lihet në momentin e fundit kur dorëzohen listat e kandidatëve për deputetë./Telegrafi/