Telegrafi

Deda: Qeverinë mund ta rrëzonim në qershor, po presim zgjedhjet në LDK

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se është e nevojshme që opozita të shkojë në zgjedhje parlamentare me një listë të përbashkët që do t’i printe partia më e madhe.

Deda, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se opozita vërtet i ka 58 nënshkrime për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por sipas tij janë edhe disa të tjerë që do të votojnë për mocionin e opozitës.

“Atë që të gjithë opinioni po e pret janë zgjedhjet e brendshme në LDK dhe më pas të vazhdohet me mocion. Kemi mundur qysh në qershor të rrëzojmë Qeverinë. Unë u kam sugjeruar në LDK që të shkojmë me mocion në korrik pas Samitit të Parisit, i cili edhe ashtu tashmë ka dështuar”.

Deputeti i Alternativës ka thënë se votat e Listës Serbe nuk do të jenë përcaktuese për rrëzimin e Qeverisë.

“Ka shumë pakënaqësi pasi kjo Qeveri ka dëshmuar veten më së keqi që mundet ta dëshmojë një Qeveri”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deda thotë se është mirë që opozita është duke u përafruar në qëndrime pasi sipas tij deri më tani “LDK e VV më shumë janë përqendruar në luftën ndaj PSD-së se ndaj Hashim Thaçit”.

“Unë PSD-në gjithmonë e kam parë si parti opozitare dhe gjithmonë ashtu jam shprehur. Ata kanë pasur politikën e tyre. S’ke ti të drejt t’i përcakton një partie politike çfarë politika të ndjekë. Tash ka më shumë kontakte mes PSD-së dhe LDK-së dhe kjo punë është e mirë”.

Deda thotë se të gjitha partitë politike opozitare duhet të dalin me një politikë të përbashkët dhe një listë zgjedhore të përbashkët.

“Në një listë të përbashkët opozitare shumë pak e rëndësishme është se kush do të jetë kryeministër…Kryeministri me rregull i takon partisë më të madhe që do ta udhëhiqte një front të përbashkët. Kjo është LDK-ja dhe s’ka çka diskutohet apo debatohet ajo çështje”, tha ndër të tjera Ilir Deda./Telegrafi/