Gjykata Speciale, procesi i përshpejtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe një proces i ri zgjedhor, do të bëjë që Kosova ta kalojë vitin më të rënd, vitin 2018.
Kështu ka thënë deputeti i partisë më të re politike Alternativa, Ilir Deda pikërisht në formalizimin e saj, në Kuvendin e Parë Zgjedhor, në të cilin do të zgjedhën organet drejtuese.
Deputeti Deda tha se gjatë këtij viti do të kenë shumë sfida, porse ato do t’i bëjnë edhe më të fortë. Madje, sipas tij, për Alternativën, viti 2018, është viti i rritjes së tyre falë punës së palodhshme të krejt anëtarëve.
Deda ka vlerësuar se situata në Kosovë është e rënd si pasojë e papërgjegjshmërisë së Qeverisë, papërgjegjshmëri kjo, të cilën s’do të mund ta mendonin as në mendimet më dashakëqija për Kosovën.
“Shumica e këtij viti do të jetë vit i rënd. Vit i rënd për shkak të Gjykatës Speciale, vit i rënd për shkak të afërsisë apo shpejtimit të normalizimit të procesit me Serbinë dhe vit i rënd sepse do të kalojmë edhe një palë zgjedhje. Por, ne jemi optimist se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta prodhojnë një kompozicion tjetër të Kuvendit të Kosovës, bashkë me Alternativën bashkë me të në një qeveri që do ta përgatitë Kosovën për anëtarësim në BE. Partitë që sot e udhëheqin Qeverinë nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Ne që nuk jemi në Qeveri jemi në gjendje ta bëjmë këtë dhe do të na duhet mobilizim më i madh, punë shumë e rënd e palodhshme që vijmë deri të dita ku me ndërrimin e qeverisë do të kemi fokus tek qytetari i Kosovës”, tha Deda, raporton kp.
Sipas tij, partitë që udhëheqin qeverinë nuk janë në gjendje ta udhëheqin Kosovën drejt BE-së. Deda ka shtuar se për tema nacionale duhet të kenë konsensus nacional.
Ndërsa, Mimoza Kusari-Lila e cila është kryesuese e këtij subjekti deri në zgjedhjen e organeve të reja, e quajti moment të veçantë përpjekjen e finalizimit të Alternativës si subjekt politik liberal-demokrat.
Ajo akuzoi partitë që janë në pushtet se kanë izoluar vendin, duke thënë se qytetarët kanë mbetur të mbërthyer në 10 mijë kilometra katror.