Ilir Deda, deputet i Alternativës, i përmendur nga ministri Nenad Rikalo, i cili po dyshohet se ka maltretuar shqiptarët gjatë kohës së luftës, ka thënë se Rikalon e ka njohur, porse bashkëpunim me të s’ka pasur.
Rikalo, në një letër të tij drejtuar mediave ku ka provuar të sqarohet për punët e tij në institucionet e Kosovës dhe ku ka mohuar akuzat në drejtim të tij, pos tjerash shkruan se “ndoshta këtë publiku nuk e di, por katër vjet kam qenë anëtar i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina”.
Deda thotë se në deklaratën e Rikalos ka ndërrim hipotezash, sepse ai nuk flet për periudhën e luftës.
“Ministri Rikalo duhet të flasë për periudhën për të cilën po akuzohet”, tha Deda në Info Magazine të Klan Kosovës.
Deda nuk e ka mohuar këtë, porse ka sqaruar se në KFOS – Fondacioni në Kosovë për Shoqëri të Hapur, ka qenë vetëm anëtarë bordit dhe nga ky pozicion s’ka pasur kurrfarë bashkëpunimi me Rikalon.
“Unë kam qenë anëtarë i bordit në KFOS-it në vitin 2010, edhe zotëri Rikalo ka qenë anëtarë i bordit në KFOS. Por anëtarët e bordit nuk bashkëpunojnë mes vete. Por, kjo është mënyrë që të mundohen që të ikin nga disa akuza të qytetarëve për atë që ka ndodhur”, tha Deda në Info Magazine të Klan Kosovës.
Deda ka mohuar ta ketë njohur ministrin Rikalo më parë.
“Unë nuk kam qenë në Prishtinë gjatë bombardimeve, pastaj kam qenë në SHBA dhe nuk kam dëgjuar për të”, tha ai. /Klan Kosova/