Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj, për mos shkarkimin e dy ministrave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga ana e Prokurorisë.
Deda ka thënë se refuzimi i Haradinajt që t’i shkarkojë ministrat në fjalë, bie ndesh me parimet e Bashkimit Evropian (BE).
Kujtojmë se Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, dhe ai i Infrastrukturës, Pal Lekaj përballen me aktakuza nga keqpërdorim detyre.
Postimi i plotë i Dedës:
Refuzimi i kryeministrit Haradinaj që t’i shkarkojë së paku dy ministra të Qeverisë së tij me aktakuzë për korrupsion e keqpërdorim, direkt bie ndesh me kërkesën eksplicite të BE-së për sundim të ligjit dhe insistimin e tyre, edhe të opozitës, për miratimin e Ligjit për suspendim dhe largim të zyrtarëve me aktakuzë dhe dënim për korrupsion.
Shkurt, prej Kosovës kërkohet që zyrtarët politik e publik të shkarkohen sapo të ketë aktakuzë, e jo të pritet me lojëra politike të të gjykimeve të stërzgjatura të gjyqësorit të zaptuar. /Telegrafi/