Deputeti i Alternativës në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se dorëheqja e kryetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit, e bërë me urdhër të Vuçiqit, është veprim i njëanshëm i prishjes së marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.
Deda, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “shihet qartë brishtësia dhe kthyeshmëria e marrëveshjeve ‘historike’ në Bruksel, duke hyrë në finalen e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës, me përshkallëzim të gjendjes politike e të sigurisë në pjesën veriore të shtetit.
Postimi i plotë i Dedës:
“Dorëheqja e kryetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit, e bërë me urdhër të Vuçiqit, është veprim i njëanshëm i prishjes së marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.
Sot shihet qartë brishtësia dhe kthyeshmëria e marrëveshjeve “historike” në Bruksel, duke hyrë në finalen e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës, me përshkallëzim të gjendjes politike e të sigurisë në pjesën veriore të shtetit.
Nuk guxojmë të biejmë në kurth të tjerëve. Sot na duhet mençuri, maturi, bashkërendim të veprimeve dhe konsensus – i cili edhe ashtu është mëse i vonshëm.
Qeveria e Kosovës, po e përsëris, duhet të konkretizojë dhe sqarojë që taksa prej 100% ndaj produkteve të prodhuara në Serbi do të hiqet kur Serbia t’i kthehet “normalizimit të marrëdhënieve” duke
1. E ndalë në mënyrë të verifikueshme fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës;
2. Në mënyrë të plotë e zbaton marrëveshjen për energji; marrëveshjen për IBM; marrëveshjen për kadastër e regjistër civil, si dhe marrëveshjen për diploma universitare”, ka shkruar Deda. /Telegrafi/