Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka thënë se të gjithë njerëzit që e duan ndryshimin dhe besojnë në suksesin e Kosovës duhet të jenë pjesë e subjektit të ri.
Ai ka thënë se subjekti do të jetë një bashkim i gjeneratës së re politike dhe nuk do t’i takojë asnjë individi.
“Nuk është partia e Ilirit, Mimozës ose Vjosës. Nuk është e individit, sepse kjo do të na bënte të ngjashëm me partitë e tjera”, ka thënë Deda në emisionin “Personale” të TV “Dukagjinit”.
Duke folur për mundësinë që Vjosa Osmani të jetë pjesë e subjektit të ri, Deda ka thënë se Osmani natyrshëm e ka vendin në subjektin e ri, por se ajo po angazhohet ta reformojë LDK-në.
Në të njëjtin emision Deda ka thënë se LDK e tashme nuk ka asgjë të përbashkët me Ibrahim Rugovën derisa presidentin aktual Hashim Thaçin e ka bërë përgjegjës për stagnimin e vendit. /RTV Dukagjini- Telegrafi/