Telegrafi

Deco i vendosur të rikthejë formën me Chelsean

Mesfushori 31-vjeçar pati një sezon të parë të vështirë në Premier League për shkak të lëndimit dhe mosangazhimit, pavarësisht se filloi shumë mirë sezonin. Ai shprehu dëshirë të largohet nga Londra këtë verë, por pas dështimit të gjejë një klub të ri të përshtatshëm, portugezi është i gatshëm të shpalosë kapacitetin e tij edhe me blutë.

“Ishte një vendim i qëlluar të vij në Chelsea. Jam i lumtur këtu. Klubi është i mirë, atmosfera rreth është e mirë. Më pëlqen të jem këtu. Vetëm duhet të luaj dhe të jem në formë. Të luaj dhe të jap më të mirën nga vetja për Chelsean”, ka thënë Deco.

“Sezoni i fundit ishte më ndryshe për mua. Kisha shumë lëndime dhe nuk më pëlqeu aspak. Nuk ishin vetëm lëndimet, por kur keni katër lëndime në të njëjtin vit, është vështirë”.

“Shëroheni dhe riktheheni në formë dhe menjëherë më pas vjen një lëndim tjetër. Është shumë vështirë. Nuk më pëlqen të bëj arsyetime, por shpresoj të punoj shumë dhe të filloj sezonin duke luajtur mirë”, ka shtuar ish-lojtari i Barcelonës.